Loading…

PDK: Emërimi i militantit të VV’së Rilind Gërvalla si drejtor në RTK e shndërron Televizionin publik në megafon të Albin Kurtit

  • 31/01/2023 | 18:50

PDK: Emërimi i militantit të VV’së Rilind Gërvalla si drejtor në RTK e shndërron Televizionin publik në megafon të Albin Kurtit

Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, kanë instaluar nga sot militantin e tyre shumë vjeçar Rilind Gërvalla si drejtor në Televizionin Publik të Kosovës, ka thënë PDK në një reagim për media, shkruan Gazeta Metro.


PDK ka thënë se n vazhdën e kapjes së secilit institucion të pavarur në Kosovë, kryeministri Albin Kurti në koordinim të ngushtë me partneren e tij, presidenten Vjosa Osmani, tash e disa muaj kanë nisur instalimin e militantëve të tyre në Radio Televizionin Publik të Kosovës.

“Kapja e RTK-së nga kryeministri Albin Kurti me mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani ka filluar që nga zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët tani po i përdorin për realizimin e planit politik të partisë në pushtet për instalimin e militantëve në pozita drejtuese, duke kulmuar sot me emërimin e militantit Rilind Gërvalla si drejtor i Televizionit Publik. Me këto emërime, RTK nuk do të jetë më në shërbim të publikut, por do të përdoret si megafon i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, ndërsa militantët që do ta drejtojnë RTK-në, do të marrin urdhra nga ideologët dhe propaganduesit e tyre partiak. Nëpërmjet kapjes së Radio Televizionit Publik të Kosovës me militantë partiak;, pushteti po synon kapjen e mendjes së qytetarëve nga e cila frikësohen më së shumti. Prandaj, nëpërmjet instalimit të militantit Rilind Gërvalla si drejtor, kryeministri Albin Kurti po synon që ta përdorë RTK-në për propagandë dhe agjitacion të llojit “Çka ka, çka s’ka”, për të shtrembëruar realitetin dhe të vërtetën e keqqeverisjes së tij”, thuhet në reagim.

Rilind Gërvalla, drejtor i sapoemëruar nga tetë anëtarët e Bordit të RTK-së, është militant i Vetëvendosjes tash e 15 vite, duke qenë pjesëmarrës në të gjitha organizimet partiake.

“As kërkesat shoqërore për transparencë e meritokraci dhe as thirrjet e asociacioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile për mos politizim të transmetuesit publik, nuk arritën ta ndalin hovin e projektit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për kapjen e RTK-së”, thuhet në reagim.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë