Ministri i Financave, Avdullah Hoti, që është edhe personi më i besueshëm i kryeministrit Isa Mustafa, është mburrur me buxhetin prej 2 miliardë euro që e ka paraparë për vitin 2017. Por për ta bërë të mundur këtë, atij i duhet në Kuvend edhe mbështetja e partnerit të madh të koalicionit, që deri tani nuk e ka.
Sipas përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, ky buxhet nuk reflekton në përmirësimin e përformancës së institucioneve por është vetëm një dëshirë për të ngritur shpenzimet e Qeverisë së Kosovës.
Besnik Bislimi, nga Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se buxheti për vitin e ardhshme nuk ka ndonjë dallim të madh me atë këtij viti. Ai ka shpreh po ashtu shqetësimin se të hyrat tatimore vazhdojnë në fakt të grumbullohen në pikat doganore që përbën shqetësim në vete, meqë një sistem i tillë fiskal nuk garanton qëndrueshmëri afatgjate.
Shukri Buja, anëtar i komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, nga PDK-ja, ka thënë se buxheti ka vërejtje sidomos tek ndarja buxhetore për veteranët.
Kurse, kryetari i komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, nga LDK-ja, Naser Osmani, ka thënë për KosovaPress, se komisioni do të trajtojë në mënyrë të duhur këtë projektligj.
Ndryshe, Qeveria në projekt buxhetin e viti të ardhshme parasheh një buxhet më të lartë që nga paslufta mbi 2 miliardë euro. Nëse krahasohet me buxhetin e vitit 2016, ka një rritje për 6 përqind apo rreth 400 milionë euro më i lartë që ishte një miliard e 598 milionë euro. Me rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, Qeveria synon të arrijë rritjen ekonomike për 4.4 përqind, ndërsa, këtë vit pret të përmbyll vitin me normën e rritjes ekonomike 4 përqind.