Edhe pse i fundit për nga hierarikia në parti e edhe në qeveri, Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit në largim Isa Mustafa dhe zv.ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, vazhdon të jetë një nga zërat më aktiv në LDK, para prishjes së koalicionit, kritik i ashpër ndaj Vetëvendosjes, e tash ndaj PDK’së.
Gecaj përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, duke folur për rrëzimin e qeverisë Mustafa, dhe kontributin që për këtë dha PDK, partinë e Kadri Veselit e ka quajtur ‘ustahe të dredhisë’.
Gjithashtu, tendencën e Veselit për t’u bërë kryeministër i vendit, këshilltari i kryeministrit në largim e sheh si çuarje të vendit drejt autokracisë, pasi sipas tij, PDK po tenton të koncentrojë të gjithë pushtetin te një parti.
Reagimi i plotë i Gecajt:
USTAHËT E DREDHISË
“Na nevojitet një dinamizëm më i madh në qeverisje”, po thonë përfaqësues të PDK-së. Po kush bre ua ndali atë dinamizëm gjatë këtyre viteve të bashkëqeverisjes, por edhe atyre të mëhershmëve.
Kësaj pune britanikët i thonë “spinning the truth” (dredhje e së vërtetës), dhe këtë atje e bëjnë ekspertët e quajtur “spin doctors” (doktorët/ustahët e dredhisë), e të cilët janë profesionistë të së ashtuquajturës “dyfytyrësi” në politikë! Si duket përfaqësuesit e PDK-së kanë marrë kurse të tilla, pasi që gjithë pa përjashtim mundohen t’i hedhin hi syve popullit me fraza boshe dhe me rrena të pa kulluara.
Brengosëse për qytetarët e Kosovës duhet të jetë tendenca që për herë të parë po tentohet që një parti të fus nën kontroll të plotë tërë qeverisjen në vend, duke “uzurpuar dinakërisht” të dy funksionet kyçe pushtetare në vend (presidentin dhe kryeministrin) – diktaturë me dy profile të një fytyre (Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli).
Por jam gjithashtu i sigurt se populli i Kosovës nuk do të lejoi që vendi ynë të ecën drejt një autokracie të tillë, porse të tillëve do t’u japi një shpullë të fortë që ta mbajnë mend kohë të gjatë.