Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK’së), Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti e refuzon ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim në lidhje me procesin e dialogut, shkruan Gazeta Metro.
Aberlard Tahiri ka thënë se PDK nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Kurti, por që sipas tij po ta kishte seriozisht, kreu i qeverisë do të kërkonte takim edhe para nisjes në Bruksel, vizitë kjo që sipas tij u realizua krejtësisht për qëllime të dialogut.
“Ne nuk kemi pranuar asnjë ftesë nga Kurti. Në rast se ai do ta kishte seriozisht koordinimin me opozitën, do duhej ta bënte para nisjes në Bruksel sepse kjo vizitë i ka shërbyer dialogut. Kurti duhet ta bëj të ditur agjendën dhe temat e tij si dhe çështjet që Kosova do t’i vendosë në tavolinë. Ne nuk po shohim transparencë dhe sinqeritet”, tha ai.
Sipas shefit të grupit parlamentar të PDK’së, vendi kryesor ku Kurti duhet të flas për planet e tij për dialogun është Kuvendi i Kosovës.
“Vendi i vetëm ku do duhej të diskutohen temat e tilla është Kuvendi i Kosovës dhe nuk mendoj që ka vend për takime të ngushta me kah 2-3 veta nëpër restaurant”, ka thënë Tahiri. /gazetametro.net