Loading…

Pensionistët mashtrues rrezikojnë burgun

  • 16/11/2016 | 08:35

Pensionistët mashtrues rrezikojnë burgun

Qytetarët që kanë përfituar pensione padrejtësisht në Tiranë e rrethe rrezikojnë burgun, ndërsa do të kthejnë të gjitha paratë që kanë marrë padrejtësisht.

Zbulimi i vonuar i skemës së falsifikimeve e të mashtrimit me përfitimin e pensioneve të padrejta, bëhet pengesë për ndjekjen penale të zyrtarëve shtetërorë që kanë pranuar dokumente të paligjshme, shkruan “Panorama”.

Pas publikimit përgjatë dy ditëve të hetimeve që kanë nisur për 500 raste në Tiranë dhe kontrollit të 1500 dosjeve të dyshuara në rrethe, gazeta “Panorama” ka mësuar dje se deri më tani, në shumicën e rasteve të pensioneve të padrejta, zyrtarët kanë shpëtuar pa u ndjekur penalisht.

“Kjo ka ndodhur pasi në rastet e shqyrtuara është konstatuar se krimi ka ndodhur dhjetë vite më parë ose para këtij afati. Për këtë arsye, vepra penale është parashkruar dhe nëpunësit që kanë pranuar dokumente false nuk mund të ndiqen penalisht”, thanë burimet e Prokurorisë.

Por duket se të njëjtin fat nuk do ta kenë qytetarët që kanë përfituar pensione padrejtësisht (para plotësimit të moshës apo llojin e pensionit që kanë përfituar). Skandali i pensioneve abuzive të dhëna nga viti 2000 e në vazhdim është zbuluar nga sektori i Auditit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, i cili ka denoncuar në prokurori 500 raste në Tiranë dhe po përgatit padi penale edhe për 1500 raste në rrethe.

Rrezikojnë qytetarët

Burimet e Prokurorisë thanë se për rastet e hetuara e të provuara deri tani, është praktikuar ngritja e akuzës “përdorim i dokumenteve të falsifikuara”.

Në rastin e qytetarëve përfitues, krimi nuk është parashkruar për shkak se ata kanë vazhduar deri tani të marrin paratë e përfituara padrejtësisht me dokumentet false që kanë paraqitur, duke plotësuar kështu kriteret e “krimit vazhdues”.

Për këtë arsye, veç procesit penal, qytetarët që kanë përfituar pensione në mënyrë të paligjshme, do të duhet t’i kthejnë paratë. Për këtë, nëse ata kanë arritur moshën e pensionit dhe plotësojnë vitet e punës, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do t’u llogarisë pensionin që u takon dhe nga ajo shumë, çdo muaj do t’u mbahet një sasi parash, derisa të shlyejnë përfundimisht gjithë sasinë e parave që kanë marrë padrejtësisht.

Nga kontrollet dhe hetimet e bëra deri tani, ka rezultuar se qytetarët kanë përftuar pension kur nuk u takonte me anë të certifikatave false për moshën. Një tjetër mënyrë abuzimi ka qenë përfitimi i pensioneve të veçanta me vlerë të lartë, duke paraqitur dokumente false për numër të madh fëmijësh apo për vite pune në miniera.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë