Loading…

Për gjendjen në arsim, përgjegjës të gjithë

  • Nga

  • 11/01/2017 | 10:07

Për gjendjen në arsim, përgjegjës të gjithë

Kur po bëhemi gati për të nisur pjesën e dytë të vitit shkollor, e kur afër janë edhe afatet e provimeve, riaktualizohet çështja e cilësisë së arsimit në Kosovë.


Pas vlerësimit të PISA’s, u diskutua shumë cilësia e arsimit në Kosovë, meqë rast është vënë në pikëpyetje i gjithë sistemi arsimor.

Por, Ali Bajgora, rektor i Kolegjit Europian të Kosovës, në një intervistë për Gazetën Metro ka thënë se çalimi i arsimit në Kosovë nuk përfshin vetëm kohën kur u publikua raporti i PISA’s, por edhe më gjerë.

“Mendoj se  zhvillimet e ngadalta të arsimit në Kosovë, në radhë të parë reformimet e ngadalta arsimore,  duhet shikuar si një proces  në raport jo vetëm me faktorët ndikues të tashëm por  si ndikim  edhe i shumë faktorëve të  tjerë ndikues  të paraluftës, luftës dhe pasluftës në Kosovë”, ka thënë Bajgora.

Sipas tij, për këto ngecje në arsim nuk është fajtor vetëm Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), por përgjegjës për gjendjen janë të gjithë.

“Çështja e përgjegjësisë për zhvillimin e proceseve me rëndësi shtetërore dhe kombëtare siç është fusha e arsimit në Kosovë, nuk është vetëm e një institucioni  MASHT-it por është përgjegjësi e të gjithëve duke përfshirë institucionet shtetërore, shkollat, prindërit dhe subjektët e tjerë relevantë në shoqëri”, ka thënë profesori.

Për këto, dhe tema të tjera si cilësia e universiteteve publike dhe kolegjeve private, lexoni të plotë intervistën me Ali Bajgorën, rektor në Kolegjin Europian të Kosovës.

Intervista e plotë:

Metro: Ku mendoni se çalon arsimi në Kosovë?

Bajgora: Vlerësimi i ngecjeve të zhvillimit të arsimit në Kosovë, është një çështje relative e vlerësimit,  varësisht se kush e bën dhe nga cili këndëvështrim e bën atë.
Mendoj se  zhvillimet e ngadalta të arsimit në Kosovë, në radhë të parë reformimet e ngadalta arsimore, duhet shikuar si një proces në raport, jo vetëm me faktorët ndikues të tashëm, por si ndikim  edhe i shumë faktorëve të tjerë ndikues të paraluftës, luftës dhe pasluftës në Kosovë.
Në një gjendje të  paraluftës, të okupimit të Kosovës nga regjimi serb dhe të një sistemi arsimor jashtëinstituconal është iluzore të pretendohet për zhvillim të  lartë të vlerave kualitative në fushën e arsimit, edhe pse angazhimi i shkollës shqipe dhe i institucioneve paralele të Kosovës  është për një vlerësim maksimal për  zhvillimin e  arsimit në Kosovë, duke pasur parsysh rrethanat shumë të rënda në atë periudhë kohore.

Metro: Nga duhet të drejtojmë gishtin për këto ngecje në sistemin arsimor?

Bajgora: Çështja e përgjegjësisë për zhvillimin e proceseve me rëndësi shtetërore dhe kombëtare siç është fusha e arsimit në Kosovë, nuk është vetëm e një institucioni  MASHT-it  por është përgjegjësi e të gjithëve duke përfshirë institucionet shtetërore, shkollat, prindërit dhe subjektët e tjerë relevantë në shoqëri. Pra, është një përgjegjësi e të gjithëve nga aspekti i obligimeve  shtetërore dhe shoqërore që çdokush kemi ndaj  zhvillimit të arsimit në Kosovë.

Metro: Çfarë mendoni, cili është niveli i studimit në Universitet Publike në Kosovë ?

Bajgora: Mendoj se niveli  i studimit në Universitete Publike në Kosovë  ka nevojë për  vazhdimin e zhvillimit të cilësisë së studimeve , por këtë  duhet parë si një proces dinamik i rrugëtimit drejtë vlerave evropiane të arsimit.

Pengesë serioze e zhvillimit të cilësisë së studimeve në Universitetet Publike në Kosovë, mendoj se është numri shumë i madhë i studentëve në këto institucione që e pengon edhe aplikimin e metodologjive të reja të mësimdhënjes dhe mësimnxëniës akademike , moderznizimi  jo adekuat i infrastruktures mësimore si dhe ngecjet në zhvillimin e stafit akademik në raport me kërkesat bashkëkohore akademike dhe hulumtuese.
Metro: Ndërkaq, ju tani jeni rektor i Kolegjit Europian të Kosovës. A mund të na thuanii, çfarë cilësie ka ky kolegj?

Bajgora: Kolegji Europian i Kosovës është një institucion i  ri  i arsimit të lartë me  mision  zhvillimin e programeve akademike me një kompetencë të lartë  nga fusha e shkencave ekonomike, teknologjisë informative biznesore dhe shkencave  juridike. Duke u bazuar në kompetencën  dhe standartet ndërkombëtare të cilësisë, zhvillimi i cilësisë akademike në kolegj është objektiv primar duke promovuar programe akademike bashkëkohore të studimit të profilizuara, staf akademik me kompetencë, metodologji bashkëkohore të mësimdhëniës dhe mësimnxënjës, punë me grupe të vogla të studentëve, mundësi  mobiliteti të studentëve në universitete ndërkombëtare, zhvillim të projekteve  hulumtuese, veprimtari botuese, puna praktike e studentëve në institucione dhe kompani biznesore, infrastrukture teknike-teknologjike adekuate, etj.
Duke pasur parasysh se ECK është institucion me një mision dhe vision të qartë drejtë vlerave evropiane akademike dhe pergatitjen e studentëve për tregun e punës jo vetëm për tregun e punës në Kosovë por edhe për tregun evropian, cilësitë e Kolegjit Europian të Kosovës tanimë janë dëshmuar nepërmes krijimit të partneriteteve dhe formave të shumta  të bashkëpunimit ndërkombëtar ademik dhe  ndëruniversitarë me universitete ndërkombëtare prestigjioze nga vendet evropiane dhe më gjerë.
Metro: A mendoni se në tërësi ka mendim negativ për kolegjet private, dhe nga mendoni se vie?

Bajgora: Në shoqërinë kosovare , te një pjesë e saj, fatkeqësisht ende ka mendime  negative për IAL private në Kosovë.  Kjo mendoj është  si pasojë e një mentaliteti të kaluar dhe mosinformimit  adekuat lidhur me parimin e barabarsisë së instutucioneve publike dhe private të arsimit në Kosovë.

Në vendet e zhvilluara institucionet private të arsimit konsiderohet si vlera të shtuara zhvillimore dhe trajtohet me shumë prioritet për të ndihmuar zhvillimet shoqërore. Kosova ka një ekperiencë jo të gjatë me institucionet private të arsimit që nga paslufta e këndej. Gjatë kësaj periudhe kohore IAL privatë, me përkrahjen edhe të institucioneve kompetente vendore (MASHT, AKA)  dhe bashkëpunimin ndërkombëtarë kanë arritur rezultate që duhet të vlersohen. Kolegjet private  kanë ndihmuar në proceset zhvillimore në Kosovë. Shumë student të IAL private pas përfundimit të stdimeve  janë punësuar në institucione shtërore, shoqërore dhe private ku po japin një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e proceseve shoqërore, ekonomike në Republikën e Kosovës. Rrugëtimin e IAL private në Kosovë duhet parë si një proces dinamik pozitiv në lëvizje përmanente. Ky proces zhvillimor ka filluar të ndryshojë plotësisht edhe mendimin e opinionit për vlerat dhe cilësinë pozitive akademike të IAL private në Kosovë, si institucione  kredibile dhe konkuruese në raport jo vetëm me universitet publike në Kosovë por edhe në rajon e më gjerë.

Metro: Nga përspektiva juaj, pse një student duhet të zgjedhte një kolegj për të studiuar? 

Bajgora: Mendoj se një student duhet të zgjedhë për të studiuar në një kolegj për faktin se u krijohet një mundësi shumë më madhe për studime serioze dhe të thelluar për faktin se punohet me grupe më të vogla të studentëve, mundësi mobiliteti ndërkombëtar të studentëve, aplikim i punës praktike të studentëve, infrastrukturë adekuate teknike-temnologjike për mësimdhënie dhe mësimnxënie, mundësi për përfshirje në miniprojekte hulumtuese, tekste mësimore dhe qasje në biblioteka elektronike etj.

Metro: Për fund, ku mendoni se po shkon arsimi në Kosovë me këtë sistem?

Bajgora: Sistemi i arsimit në Kosovë ka filluar rrugëtimin e vet pas luftës në Kosovë me shumë pengesa dhe probleme madhore si pasojë e gjendjes së paralutës dhe luftës në Kosovë. Çështjen e zhvillimit të arsimit në Kosovë duhet shikuar në prizmën e një procesi zhvillimor pozitiv që vazhdon. Në aspektin krahasues me të kaluarën në fushën e arsimit në Kosovë, po bëhen  zhvillime të shumta pozitive nga MASHT-i , dhe  nga institucionet e tjera relevate sipas kompetencave të tyre në funksion të ngritjes së infrastrukturës shkollore, gjithëpërfshirjes në shkollim, ngritjes përmanente të cilësisë, digjitalizimit të shkollave dhe universiteteve, bashkëpunimit dhe partneritetit ndërkombëtar, etj. Ky proces zhvillimor është me rendësi jetike  duke pasur parasysh se institucionet kompetente: MASHT, AAK, Institucionet shkollore po tregojnë një përkushtim për ngritjen dhe zhvillimin e cilësisë në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë