Loading…

Për Halloween te shqiptarët ndërshekuj

  • Nga

  • PAL SHTUFI

  • 31/10/2025 | 20:50

Për Halloween te shqiptarët ndërshekuj

Shqip: “Dita e gjithë Shenjtërve” ose, gegnisht, Dita e t’SHUMËVE.  Anglisht: “All Hallows’ Eve” ose, komercialisht, HALLOWEEN.


Nga PAL SHTUFI 

Ndër shekuj shqiptarët katolikë, natën e 31 tetorit dhe të një nëntorit e kremtojnë një festë, e cila në zhargonin popullor është quajtur “Dita e t’Shumëve” e që në fakt ka kuptimin e “të gjithë shenjtërve” – natyrisht, të marrë nga romakët që nga viti 615 kur papa i asaj kohe, Bonifatius IV, e ndërtoi edhe Pantheonin e të gjithë shenjtërve ose “të gjithë martirëve.” Ndërsa, rreth 100 vjet më vonë, papa Gregori III, ditën e të gjithë shenjtërve e shpalli festë zyrtare te kishës dhe atë gjithmonë me datë 1 nëntor.

PËRJETIMET PERSONALE

Personalisht jam rritë me këtë festë të ngrohtë vjeshte të vonë. Gjithmonë për Natën e t’Shumëve kemi zier gështenja dhe kemi ndje ngrohtësi të veçantë – jo trishtim, si keltët…! Prandaj shqiptarët katolikë jo rrallë e quajnë edhe “Nata e Kshtajave” sepse këtë natë gështenjat janë specialiteti i parë (sigurisht arketip pagan).

Naten e t‘Shumëve nana na ftonte rreth tryeze. Së pari ndizte nga një qiri për secilin të vdekur të familjes, ndërsa qiriu në mes ndizej për të gjithë shenjtërit ose për të gjithë të vdekurit. Pastaj fillonte procesi i lutjeve më zë, e që për ndonjë familjar të vdekur përmendej edhe emri i tij dhe kështu luteshim për shpirtin e tij. Ndodhëte që ndonjëherë të na pikonte edhe ndonjë pikë loti i fshehur, por nuk goxonim ta shfaqnin dhembjen para atij përkushtimi të madh shpitëror, të cilin nana me aq pasion e ushtronte.

Të nesërmen i vizitonim varrezat dhe ndiznim qirinjë tek varret e familjarëve. Jo rrallë ndodhte që t’i ndiznim qirinjë varreve, të cilave nuk kishte më kush t’u ndizte. Si rregull, për shpirtërat e të vdekurëve edhe prifti organizonte një meshë në varreza. Edhe sot praktikohet e njejta gjë dhe, që t’ua kujtojë, Dita e t’Shumëve është festë përshpirtnimi, prandaj nuk punohet – është “festë e urdhnueme”!

SI U SHNDËRRUA DITA E TË GJITHË SHENJTËRVE NE DITË TË LUGETËRVE?

Të festuarit me maska trishtuese, faktikisht është kulturë kelte, ku irlandezët (shek. 18) duket që kanë pasur sukses në mishërimin e kësaj feste me traditat kelte. Tani me zhvillimin e komercializmit, duke filluar nga Amerika, natyrisht që tradita edhe ndryshon. Mjafton një simbolikë e të kaluarës dhe paraja e bë ndryshimin. Sipas kërkesave, edhe festën, e cila edhe pse quhet “Dita e të gjithë Shenjtërve” e shndërron në “Dita e Lugetërve”. S’ka problem, njerëz jemi – t’bijtë e ndryshimit…

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë