Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se sot u janë dorëzuar stemat e FIFA’së 16 gjyqtarëve të cilët janë licencuar për garat ndërkombëtare, transmeton Gazeta Metro.
Siç thuhet në njoftimin e FFK’së kryetari Agim Ademi dhe kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani kanë pritur sot 16 gjyqtarët e licencuar.
”Vit pas viti numri i gjyqtarëve kosovarë me stemë të FIFA-s është rritur, derisa për herë të parë Kosova është bërë edhe me treshe të gjyqtareve, pasi tashmë krahas Lumturije Muhadrit janë licencuar edhe Rita Vehapi, si gjyqtare kryesore dhe Fitore Govori si asistente,” thuhet në njoftim.
Mirëpo, te Vehapi FFK’ja ka bërë një lëshim teknik pasi që në listën e gjyqtarëve të licencuar shihet se ajo është futur në listë me asistentët.
Kujtojmë se një nga gjyqtaret më me perspektivë në vendin tonë kishte dhënë një prononcim për Gazeta Metro rreth kësaj arritje.
Ajo kishte thënë se është ”ndjenjë e papërshkrueshme”, teksa foli edhe për vështirësitë e referimit në Kosovë dhe objektivat e saj.
Njoftimi i plotë nga Federata e Futbollit e Kosovës. /gazetametro.net