Loading…
Për integritetin territorial: Rreziku i politikës për humbje të integritetit logjik
  • Nga

  • ISMAIL TASHOLLI

  • 17/08/2019 | 19:33

Për integritetin territorial: Rreziku i politikës për humbje të integritetit logjik

Ruajtja e integritetit logjik është po aq i rëndësishëm për politikën kosovare sa ruajta e integritetit territorial. Disa fjalë mbi politikën kosovare që kërkon verifikim në Beograd.


Shkruan Ismail Tasholli

Në kohën e Jugosllavisë dominimi serb në hapësirat politike dhe kulturore kishte marrë rol determinues për popujt tjerë. Ata kishin investuar në çfarëdo forme për të arritur këtë dominim duke e përdorur si kartën e shkrimit të vlerave në tërë hapësirën jugosllave.

Me fillimin e luftërave të fundit ajo kartë orientuese kishte filluar të zhbëhej. Nuk ishte më Beogradi pikë reference e çfarëdo vlere, dhe mirë që bëhej ashtu.

Tanimë “ish popujt” e bashkuar të Jugosllavisë mendonin të shkruanin secili vlerat e veta veç e veç duke u munduar të iknin nga tirania vlerore e Serbisë. Mirë ia bënin.

Edhe tek ne refuzimi që i bëhej çdo forme të ndikimit që vinte nga atje ishte radikalizuar për mirë.

Këtë refuzim te ne, pas lufte, po e ndihmonte dhe forconte shumë edhe zhvillimi i teknologjisë komunikative dhe çfamiljarizimi me një sistem të imponuar dhunshëm në mendësinë tonë tashme fuqishem po fundamentohej. Të rinjtë nuk e dinin gjuhën e tyre (serbishten), kishin tjera referenca kulturore, interneti ishte ngjarja që po i hapte të rinjve perspektiven e orientimeve në tjera sisteme vlerore, në tjera qendra shumë më të rëndësishme dhe më të dinjitetshme.

Deri këtu duket bukur.Përpjekjet tona “paralele” ishin përpjeke të mençura dhe rezultative. E kishim fituar luftën në çdo aspekt edhe në atë politik dhe kulturor. Mundi për ta ndërtuar diferencën vlerore në mes tyre dhe neve ishte shpërblyer. Por siç e thash deri këtu duket bukur nëse nuk i shohim disa reagime të fundit, të aktorëve politik sot, në prag të zgjedhjeve që po vijnë.

Deklarimet e fundit të disa aktorëve politik, shprehur në fjali të zhdrejta gramatikore, janë: se ky apo ai person paskan të drejtë në taktikat dhe strategjitë politike sepse kanë ngjallur reagime dhe nervozizëm në Beograd, rreth kësaj apo asaj deklarate.

Për ta përkthyer këtë mendësi argumentimi që ndodh në replikat ditore, i bie: që ne po kërkojmë verifikimin e të pasurit të drejtë dhe legjitimimin politik tonin në reagimet e Beogradit. Thënë qartë, masa matëse e vërtetësisë i është besuar krahasimit të reagimeve atje. Që në një metaforizim të kontekstit të këtyre deklaratave, i bie që ne “integritetin logjik” po e bartim prapë në Beograd, ironia e kësaj është që duke provuar që ta mbrojmë integritetin territorial dhe Republikën e Kosovës.

Kthimi i temës për Serbinë dhe vetëm për të, në ligjërimin tonë të përditshëm politik në kohën e zgjedhjeve, thënë me një dozë humori është amatoresk, kurse me një qasje më serioze gabim strategjik.

Atë (Serbinë), që e kishin ndjekur nga këtu i tërë civilizimi perëndimor, nuk duhet që ne ta kthejmë përmes ligjërimit tonë politik, vend e pa vend. Por, parimet patetike janë aset politik, që nëpërmjet emocionit patriotik provojnë investimin politik, që të legjitimojnë vetveten si të drejtit e të duhurit në kërkim votash edhe kur të mungojnë aftësitë minimale për t’i ofruar një perspektivë qytetarëve të këtij vendi. Nëse shoqëria jonë ka avancuar në kërkesa ndaj politikës është e pandershme që ato kërkesa të ua kthejmë në diskursin politik që kërkon tapitë patriotike, si të vetmen ofertë, duke ndjellur frikën se vetëm me ne Kosova ecë drejtë dhe pa ne ajo shkon në theqafje. Paçka mangësitë e ideve lehtë mund të mbulohet me kuazi patriotizëm.

Gabimi i parë që bëjmë ka të bëj me rëndësinë e pa qenë që i japim gratis Serbisë, me problematikat tona të brendshme, që i bie disfavorizim i vetës dhe ofendim gjithashtu. Dhe ai i dyti, që ju ikim temave dhe problemeve serioze shpeshherë të shkaktuara nga vet ne. Por dëmi më i madh është te paaftësia jonë që të prevalojmë politikat e njëzet viteve të shkuara. Mbi premisa folklorike nuk komunikohet politikisht me qytetarin, jo më sot.

Humbja e trendit politik në raport me qytetarin është dëm më kompleks seç e mendojmë. Kurse, kur i shtohet kësaj edhe çorodia e diskursit tonë politik në raport me të tjerët (të tjerët janë të gjithë ata që “merren” me ne si Kosovë) atëherë i bie që e kemi humbur rrugën.

Është e kuptueshme, në kontekstin psikanalitik, që shumica e këtij lloji të politikanit sot është ngritur mbi akuzat dhe luftën e drejtë me Serbinë e nuk është e lehtë “ikja” nga pavedija, rrjedhimisht habitati i tyre politik nuk mund të shtrihet jashtë këtyre dimensioneve të artikulimit politik sot. Që do të thotë, figurativisht: kufijtë e mendjes së tyre politike janë edhe kufijtë e ehos
politike të Serbisë.

Realiteti është tjetër, përtej dëshirave të zjarrta për pushtet që pashmangshmërisht ta imponojnë demagogjinë, si të vetmen formë komunikimi me votuesin.

Ajo çarje ka filluar të ndodh, kërkesa dhe oferta po shpërputhen ngadalë dhe votuesi i ri, thënë kushtimisht, nuk është duke u atraktuar më nga banalitetet e përditshmërisë politike që ofertë kanë vetëm Serbinë. Pamjaftueshmëria si opsion politik, e paketuar në kinse politikë, në raport me kërkesat e “votuesit të ri”, do të krijojë edhe pamjaftueshmërinë legjitime të daljes në zgjedhje, ndoshta.

Ta ruajmë “integritetin logjik” sepse është po aq i rëndësishëm sa ai territorial.

(Autori është studiues i filozofisë dhe analist politik nga Prishtina. Ky artikull është shkruar enkas për Metro)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë