Ishin me dhjetëra kamionë të mbushur me ndihma humanitare drejt Shqipërisë dhe Kosovës, që i organizonte Remziu me miqtë e shumtë gjermanë. Dhe më njoftonte: gjeje kohën e hajde t’i falënderosh para nisjes”.
Shkruan: Bashkim Zeneli
Përherë në lëvizje, nga qyteti në qytet, nga takimi në takim, ditën edhe natën; i palodhur dhe mjeshtër si pakkush në timon. Dhe asnjëherë, as edhe një herë të vetme nuk u mburr, nuk tha kurrë: Unë!
Më telefononte në mes të natës për t’u takuar me dikë nga Kosova, nga Zvicra, nga ShBA.
Nuk do të harroj kurrë kur ministri i Brendshëm, Otto Schilly, një figurë emblematike e politikës, një burrë fisnik e me kontribute të mëdha për Shqipërinë dhe Kosovën do të më befasonte: “Remzi Ejupi, – miku yt, apo jo? – po punon shumë për Kosovën. Ne e dimë, ashtu si e dimë, që ai nuk po shkel asnjë ligj gjerman. Ai po punon për popullin e tij”.
Sot është e lehtë të flasësh për ato vite e ato ditë të vështira. Është e lehtë të përshkruash sakrificat e pashoqe të shumë e shumë shqiptarëve të Kosovës për lirinë e atdheut. 24-25 vite më parë ishte krejt jo vetëm e vështirë, por, pse jo edhe e rrezikshme. Remzi Ejupi ishte një nga ata që nuk mori parasysh asnjë sakrificë.
Blerina, e shoqja, një grua fisnike, e zgjuar dhe patriote e ka mbështetur pa bujë Remziun, bashkëshortin e saj në “aksionet” e pafundme të tij për lirinë e Kosovës. Dhe ajo gjithashtu meriton një respekt të veçantë e mirënjohje të madhe. E fillova këtë shkrim me mendimin se Remzi Ejupi e meriton plotësisht titullin e lartë që i akordoi Presidenti Meta.
Për më shumë, ai meriton po kaq plotësisht që të quhet një hero, pa fjalë e pa bujë! E njoha më shumë se kushdo në ato vite të vështira, ndaj jam më se i bindur për këtë që po them.
(Autori ka qenë deputet dhe diplomati shqiptar si dhe një ndër figurat historike të Partisë Socialiste që ka dhënë kontribut në afirmimin e çështjes së Kosovës në periudhën para dhe gjatë luftës.)