Loading…

Për pleqtë që s’i kemi dashtë si të fortë e të rinj

  • Nga

  • VALON A. SYLA

  • 03/11/2022 | 16:00

Për pleqtë që s’i kemi dashtë si të fortë e të rinj

Në tregimet historike, si regjistrime antropologjike, kur njerëzit jetonin si primitivë, në shoqëri larg civilizimeve dhe të izoluar në skajet e botës, pleqtë ishin barrë sepse nuk mund ta siguronin gjahun e vet, bukën e gojës, dhe pastërtinë për vete. Madje as drutë për ngrohje dhe duhej të ushqeheshin nga ata që ishin më të ri, dhe të aftë të fisit. Pleqtë poashtu nuk mund t’i qëndronin udhëtimeve të gjata dhe duhej të barteshin në krah e barra shtagash, gjatë rrugëtimeve të gjata të ciklit nomadik. Dhe lodheshin nga paaftësia e tyre që nuk mund të kujdeseshin më për veten e vet. Nuk ju pëlqente të ishin barrë as për të tjerët, e as të mbesin në mëshirën e tylifar ‘papaku’ të fisit.


Shkruan: Valon A. Syla

Dhe nga të gjitha këto, ata iknin msheft’ e futeshin në mal, pyll, ose hidheshin në humnera që mos ta pengonin rrugëtimin e fisit dhe mos të bëheshin barrë më për askënd. Sepse me plakje, besonin se bashkë me humbjen e fuqisë, ju kishte humbur edhe integriteti, ose pavarësia njerëzore. Dyqysh sikur me ju gërditë vetja e vet, sepse tashmë e kishin humbur atë që dikur ndiheshin me mburrje, të fortë, të pavarur dhe plotësisht të gjallë.

Familja e këtyre pleqve, ata që ishin ende gjallë dhe i kishin shpëtuar, klimave, rreziqeve të gjahut, helmimeve nga ushqimi e konflikteve të dhunshme përbrenda fisit e jashtë tij, pritnin dy ditë a po kthehen këta pleq që e merrnin malin për të humbur.

Nëse nuk ktheheshin, për ta festohej në heshtje duke e hëngër pjesën e shujtës së plakut dhe duke e falënderuar për vendimin që ua lehtësonte jetën atyre, sidomos për më të vegjlit që poashtu kërkonin përkujdesje sa këta pleq nga të rriturit.

Por kjo ishte edhe një porosi për fisin, për ata të fortit që ankoheshin dhe bërtisnin se po i mbajnë krejt gjallë, nga këta pleq me ‘integritet’ para vdekjes… se ashtu si bënë ata, e pleqtë e tyre para tyre, duhet të bëjnë dhe këta të fortit nesër që e hanin në heshtje shujtën e tyre të fundit.

***

Në Evropë, shtëpitë e pleqve janë gjithandej sot. Këta të moshuar jetojnë dhe zgjedhin me qejf të shkojnë, sikur ata primitivët në mal, këta në këto shtëpi që në një mënyrë mos të mbesin barrë e familjes të sotme moderne.

Nga këta evropianë italianët, shqiptarët dhe grekët janë popujt e vetëm që ende refuzojnë t’i lënë e t’i braktisin pleqtë në shtëpi përkujdesje, por insistojnë t’i mbajnë te shtëpia me familje me gra e nipa dhe mbesa.

Këtë tregim ma ka treguar një plak suedez 72 vjeç, që pleqërinë e tij në pension e ka planifikuar ta kalojë në Himarë, ku edhe ka blerë banesë. Më tha se 800 euro e ka blerë metrin, dikur nga viti 2014 për një banesë 68 metra katror me pamje nga deti. Ai fliste për shqiptarë me simpati dhe i pëlqente se shumica e familjeve shqiptare  nuk i linin pleqtë vetëm. Më tha se jeton aty si milioner dhe pensionin e tij që e merr nga Suedia është diku 5000 euro për muaj.

Pastaj më tregoi për shifrat e BE’së për italianët dhe grekët që i respektonte për kulturën. Për suedezët nuk fliste shumë. Në fund më tha se kjo tregon se në këto territore, primitivizmi ka kaluar shumë moti dhe shumë më herët se në pjesët e tjera të Evropës dhe kujdesi familjar për pleqtë që e keni, nuk është primitivizëm, por vlerë kulturore që primitivizmin e keni kaluar moti, mijëra e mijëra vjet më parë. Ata që kaluan shpejtë në etapa nga primitivizmi në modernizëm, mbaruan sisteme veç sa me i hjek pleqtë qafe, e jo me u përkujdes për ta. Sikur ata primitivët por në mënyra dhe institucione moderne.

E pyeta për familje se çka bëjnë? Më tha që secili e bënë punën e vet. Nuk e zgjati fort. Por, deshi të ma shpjegonte se edhe ai nuk ka dashur të bëhet barrë e askujt, edhe as të ikë në mal e humb… duke qeshur shumë, por jo ma shumë se unë që e pëlqeva secilin moment të tregimit të tij me takt.

“Pra nuk kam dashur as unë të bëhem barrë dhe kam ardhë këtu te ju shqiptarët, ku ende keni nerva me dëgju një plak deri në fund se çka ka për të thënë, përderisa plazhi është me shumë femra të reja të bukura”.

Plaku suedez, pastaj më tregoi se ishte historian dhe antropolog.

Pastaj vazhdova me të muhabet me raki dëllenje (juniper ang.) Sepse e kishte zgjedhë ai hatri i shijes e aromës të dëllenjave të egra nga malet për rreth dhe se bënte be se është 100 herë ma i mirë se gjini evropian.

I kallëzova që këta italianët, grekët e shqiptarët, nuk e pinë rakinë ma shumë se 2 copa verës së nxehtë, sidomos ditën, kur dielli është i fortë mbi 30 gradë C.

E kthyem, në shpricer.

Sikur ky plaku suedez, diku mbi 300 pleq nga vendet skandinave kanë emigruar në jug të Shqipërisë, për t’i kaluar ditët e tyre të pleqërisë në pensionim. Atyre kjo përpos që ju duket si ikje nga ata që mos t’iu bëhen barrë, e shijojnë me ëndje klimën mediterane që paraardhësit e tyre, kurrë nuk arritën t’u sigurojnë.

Ushqimet e detit që janë luks gjithkund, aty i shijojnë me çmime të lira, që ua bëjnë pleqërinë me 5 yje. Shto këtu faktin që me këta të huaj shqiptarët sillen më me kujdes dhe respekt, se sa me pleqtë e vet.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë