Loading…

Për politikanët është momenti i fundit të reflektojnë përgjegjësi shtetërore

  • Nga

  • UK LUSHI

  • 08/07/2019 | 16:38

Për politikanët është momenti i fundit të reflektojnë përgjegjësi shtetërore

Politikanët në Prishtinë, më në fund, duhet të nisin të sillen si të rritur dhe me përgjegjësi ndaj shtetit të Kosovës.


Shkruan Uk Lushi

Përkundër një momentumi dhe gatishmërie të qartë nga faktorë të fuqishëm planetarë për mbylljen e ndarjes joformale dhe formale me vulë të përhershme në sistemin ndërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë, në pjesën e parë të vitit 2019, shumë politikanë, por edhe zëra publik nga mediet e shumta me agjenda politike partizane, inate personale dhe interesa biznesore, këmbëngulnin që strategjitë e duhura do të ishin pritja dhe shtyrja. Derisa raportet dhe situata në gjeopolitikën botërore të bëhej më e favorshme për Kosovën, thonin!

Porse strategjia e futjes së kokës në rërë si strucët, rrallë e përmallë është strategji fituese.

Realiteti i ri politik në BE, pas zgjedhjeve të majit, është më i keq se realiteti para zgjedhjeve. Njeriu që do të udhëheqë me politikën e jashtme të BE-së dhe do të jetë mediatori i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Borrell, nëse Mogherini ishte një shtrigë, barcelonasi që përkujton jugosllavët e flaktë të lindur në Prishtinë në kohën e komunizmit, do të jetë një shtrigan në fuqinë e 10-të. Pak a shumë e njëjta lidhur me Kosovën mund të thuhet edhe për njerëzit tjerë që do të marrin timonin e zyreve kryesore të BE-së dhe natyrisht njëjtë mund të gjykohet për ripozicionimet politike brenda shteteve të BE-së dhe Britanisë së Madhe. Përkeqësimi i gjendjes në Tiranë dhe rajon s’ka nevojë as ta përmendet që është kthyer në disafavor.

Në këtë purgator që na ka vendosur pikësëpari indolenca dhe lufta primitive ndërpartiake dhe klanore e politikanëve meskinë në Prishtinë, shpresa e vetme për purifikim dhe aktivizim mbetet Washingtoni zyrtar.

Mirëpo askush nuk duhet të pres që Washingtoni do të pres derisa infantilët e politikës në Prishtinë do të vetëdijësohen dhe sillen si shtetarë. Washingtoni dhe faktorët tjerë relevantë me fuqi të finalizojnë zgjidhjet e problemeve globale do të lëvizin edhe pa unifikimin e fuqisë së faktorit vendor në Kosovë. Veçse, le ta dimë, zgjidhjet e tilla assesi nuk do të jenë më të mira për Kosovën se sa zgjidhjet ku marrim pjesë edhe ne.

Përderisa vonesa dhe prokrastinimi, fatkeqësisht, duket që janë alfa dhe omega e jetës së shumë shqiptarëve, në fakt, ato na rrezikojnë të kemi situatë të pafavorshme edhe në Washington DC në vitin 2021, sepse spiranca më rëndë e politikës amerikane, prej tash e tutje, do të jetë në Azi dhe, pak ose fare, SHBA do të merret me çështje si mbyllja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Koha është, edhe më shumë se para gjysmë viti, thelbësore për Kosovën. Ne nuk kemi kohë tepricë, por kemi deficit në kohë. Prandaj, kastat politike duhet sa më shpejt të bashkohen dhe duke pëdorur potencialin e tyre dhe krejt njerëzve tonë të gjejmë metodat dhe veprimet më të mira për të mbrojtur dhe bërë Kosovën fituese në betejën finale me Serbinë.

(Autori është publicist nga Shtetet e Bashkuara dhe veteran i Batalionit të UÇK’së Atlantiku)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë