Loading…

Për shpëtuesit ose rrënuesit e shtetit të Kosovës

  • Nga

  • NDUE UKAJ

  • 16/05/2020 | 20:15

Për shpëtuesit ose rrënuesit e shtetit të Kosovës

Kosova nuk ka kurrfarë krize ekzistenciale që të shpëtohet nga dikush, sepse atë nuk mund ta zhbëjë askush. Kjo për faktin se shteti i Kosovës i ka rrënjët thellë në dashurinë për liri që ka treguar populli shqiptar ndër vite e dekada. Ai ka vuajtur dhe ka sakrifikuar pamasë për këtë liri dhe sot pararojë e lirisë së tij është krejt bota e përparuar, që ka bërë veprën më madhore të fundshekullit të kaluar, duke na çliruar nga kthetrat e Serbisë, dhe pastaj, duke na pavarësuar.


Shkruan Ndue Ukaj 

Fatkeqësisht, ata nuk mund të na çlirojnë nga vetvetja dhe manitë tona, nga paqëndrueshmëria jonë politike, mentaliteti i egër dhe nga marritë e përditshme që bëjmë.

Ndaj, të sajosh diskurse e kauza të pështira politike se ata që na çliruan dhe pavarësuan, sot dashkan të zhbëjnë këtë vepër madhore, është e gërditshme, alogjike dhe një gabim i pafalshëm historik. Kjo është një fyerje e rëndë ndaj perëndimit dhe ndërgjegjes së lirisë dhe njollë e zezë në historinë e raporteve tona me perëndimin.

Këto sajime i gëlltitin vetëm mendjeshkretit.

Kosova ka kriza tjera, që lidhen me pazotësinë tonë për të zhvilluar vendin dhe përparuar shërbimet e tij, për të ndërtuar klimë etike normale dhe mjedis politik normal.

E në rastin më ekstrem, nëse vërtet Kosova ka krizë ekzistenciale politike, ajo nuk është çiflig që ta shpëtojë një person, një kryeministër, një lider partie a një udhëheqës tjetër shteti.

Të besosh në këtë logjikë, është sikur të besosh se fluturon gomari.

Nëse vërtet Kosova ka krizë ekzistenciale politike, atë më së paku mund ta shpëtojnë turfullimat e militantëve dhe mercenarëve që krejt çka dinë është t’iu mbushin hambarët politike të grupimeve të tyre.

E kam thënë para një vitit – në fund të fundit –  askujt s’i duhet një Kosovë të cilën gjoja po e shpëtoka një njeri ose një grupim i vogël politik. Sepse, ne nuk jetojmë në kohë të profetëve dhe të magjeve, por në një rend demokratik, me rregulla e ligje, dhe brenda një civilizimi shumë të përparuar, ku liria është vlerë sublime.

Zakonisht politikanë  të paaftë dhe pa ide kreative politike, që nuk shohin përtej gardhit të tyre politik, i mbrehin shpatat kundër kundërshtarëve politikë, për t’i joshur mbështetësit e tyre dhe mundësisht për t’i egërsuar kundër njëri-tjetrit, vetëm e vetëm për një arsye: që të ekzistojnë politikisht. Pikërisht kjo gjuhë e egër, ka mbajtur në skenë gjithfarë analfabetesh tash e sa vite.

Të tjerat janë dokrra dhe retorika boshe.

Diskursi politik  i ekstremeve, se Kosova paska heronj dhe tradhtarë, shpëtues  dhe rrënues, është anakronik dhe u shërben vetëm atyre politikanëve që asaj s’dinë t’i japin tjetër pos helm dhe mllef.

Çka po u lëmë breznive të reja?

Nesër, breznitë e reja kur të ulën dhe t’i lexojnë marritë tona, çfarë do të mendojnë për ne, për kohën tonë?

Po, ata, me siguri do të trishtohen prej paaftësisë sonë për të folur normalisht për çështje krejtësisht themelore politike.

Ata do të trishtohen për shkak se atyre do t’u lëmë shumë helm, mllef, egërsi dhe primitivizëm dhe shumë pak ide të shëndosha e humane.

Ata do të trishtohen kur të shohin se çfarë koncepte primitive për shtetin kemi kultivuar, duke e gjykuar dhe konceptuar atë si çiflig, ndërkaq udhëheqësit si çifligarë.

Çfarë do të mendojnë ata kur ata do ta kuptojnë se ngatërresat dhe kacafytjet e sotme politike, s’janë bërë për koncepte zhvillimore, parime, ide e vlera, por ishin rrjedhojë e do instinkteve krejtësisht egoiste, primitive, dhe asnjëherë s’janë ndërlidhur me interesa të përbashkëta?

Po, breznitë e reja do të çuditën nga gjuha e çoroditur dhe e përçartë që kemi kultivuar.

Ata do të mërziten sepse u kemi zhubravitur fotografinë e shtetit të tyre, me turfullimet të artikuluara me një gjuhë të gërditshme.

Ata do të mërziten, kur të shohim sa shumë  gojëkëqij e dashakëqij ka pasur e sotmja jonë politike, mediumet që bartin mendime politike dhe ata që shkruajnë mendime politike.

Ata do të mërziten pse nuk ishim të aftë që t’i avanconim ata dhe t’i bënim pjesë të botës normale, ndonëse kemi jetuar përbrenda rendit më të emancipuar botëror, por i kemi lënë jashtë rrjedhave ekonomike, shkencore e kulturore, dhe jemi vërtitë si të çmendur brenda gardhit tonë primitiv.

Breznitë e reja do të mërziten kur të kuptojnë se ne kërkonim solidaritet e mirëkuptim ndërmjet Bashkimi Europian dhe Amerikës për interesat tona, ndërkaq brenda nesh kultivonim me tonelata mosmarrëveshjeve. Po, ata do të turpërohen kur të kuptojnë se ne kërkonim solidaritet dhe mirëkuptim botëror për interesa tona ama njëri-tjetrit donim t’ia nxirrnim sytë.

Ata nuk do të mund t’i gëlltitin marritë tona, kur të kuptojnë se  kemi kërkuar që të tjerët t’i rregullonin problemet tona esenciale, të mëkëmbjes ekonomike, zhvillimit, kurse vetë të dalldiseshim, çaravesheshim e haparesheshim, duke shkruar histori të lavdishme politike dhe patriotike, për një grusht like facebook-u, prapa të cilave kishte shumë pak punë dhe vepra të vërteta.

Prandaj, që të mos e errësojmë dhe më shumë fotografinë e shtetit tonë, kurrë nuk është vonë që të pendohemi dhe të këndellemi.

(Autori është shkrimtar i njohur dhe komentator politik)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë