Loading…
Për Taksën 100% dhe tendencat sekrete të Serbisë për pushtimin tregtar të Kosovës
  • Nga

  • EMIN AZEMI

  • 10/12/2018 | 15:25

Për Taksën 100% dhe tendencat sekrete të Serbisë për pushtimin tregtar të Kosovës

Një kohë të gjatë Serbia ka qenë ajo që ka zhvilluar një luftë të pistë tregtare ndaj Kosovës, me ç’rast ishte përpiluar edhe strategjia e dëmtimit në forma të ndryshme të prodhuesve vendor. Për habinë e të gjithëve, kjo strategji djallëzore e Beogradit, as që ishte regjistruar nga radarët e burokratëve të Brukselit. Këta të fundit një kohë të gjatë abuzuan me disponimin dhe orientimin properendimor të Kosovës dhe shqiptarëve dhe për rrjedhojë vendosën standarde asimetrike, duke e favorizuar Serbinë, në kufijtë e përkëdhelisë së pakutimtë.


Nga Emin Azemi

Vendosja e disa masave reciproke ndaj Serbisë (tash së fundmi paralajmërimi për heqjen e tabelave serbe të veturave dhe vendosja e atyre të përkohshme në hyrje të Kosovës), përfundimisht ka shkundur letargjinë e të gjithë atyre që kishin menduar se depërtimi i Serbisë në Kosovë, kishte vetëm karakter ekonomik e tregtar. Me vetë faktin se kohë më parë ishte publikuar një dokument “Top Sekret” i Shërbimit Sekret të Serbisë (BIA) që kishte të bënte me strategjinë e Beogradit në fushën e ekonomisë, ku parashiheshin masa konkrete për depërtimin agresiv të Serbisë në tregun e Kosovës dhe paralizimin e ekonomisë së kësaj të fundit, tregonte qëllimin e qartë të Beogradit që Kosovën nga varshmëria ekonomike ta shndërrojë edhe në varshmëri të natyrave të tjera nga Serbia.

Të gjitha shqetësimet serbe burimin e kanë në pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen e saj nga një pjesë e madhe e shteteve perendimore, në krye me SHBA-të. Këto shqetësime po bëhen edhe më të mëdha këtyre ditëve kur është paralajmëruar formimi i Ushtrisë së Kosovës.

Logjika hegjemoniste serbe nuk e ka lehtë të pajtohet me një realitet të ri që po krijohet para hundëve të saj, kurse propaganda që po përhapet me të madhe në Serbi ditëve të fundit po tregohet e paaftë ta paraqes këtë realitet si favor i politikave aktale që po udhëheq kreu serb. Maniret e vjetra të paketimit të këtij realiteti si vuajtje e popullit serb në Kosovë, po tregohen si të dalë boje, sepse janë jo pak media botërore që kanë regjistruar këtyre ditëve, përmes reporterëve të tyre në terren, kamionë të mbushur plot me mallëra që në rrugë klandestine kanë depërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në enkalvat tjera serbe.
Në anën tjetër, edhe Qeveria e Kosovës është treguar e gatshme të furnizojë shitoret dhe barnatoret e serbëve me barna dhe ilaçe, pa pasur nevojë që kjo popullatë të trajtohet me nota vajtuese nga mediat e Beogradit.

Një kohë të gjatë Serbia ka qenë ajo që ka zhvilluar një luftë të pistë tregtare ndaj Kosovës, me ç’rast ishte përpiluar edhe strategjia e dëmtimit në forma të ndryshme të prodhuesve vendor. Në këtë strategji ishin përpunuar të dhënat me detaje për të gjitha kompanitë kosovare, potenciali i tyre, pikat e dobëta, dhe aksionet/hartat të cilat operativët e BIA-s në terren kishin ndërmarrë ndaj atyre dhe prodhimet e tyre. Në listën e gjatë të BIA figuronin kompanitë më të fuqishme të Kosovës, të cilat duhej të zëvendësoheshin me kompanitë serbe, në mënyrë që ekonomia e këtij vendi të mos bankrotonte. Ndër to përmendej Fluidi (Gjilan) me prodhimin e “Jaffa-s”, cili duhej të zëvendësohej me kompaninë serbe “Nektar”, pastaj Pestova (Vushtrri) me prodhimin e “Vipa Çips”, që duhej të zëvendësohej me produktin serb “Çips”, Fruteks (Suharekë) me prodhimin e “Golden Eagle”, që duhej të zëvendësohej me produktin serb “Guarana”, M Silosi (Rahovec) me prodhimin e miellit “Finesa”, si zëvendësim për “Fidelinka”, Kllokoti (Kllokot) me prodhimin e “Ujit Kllokoti”, si zëvendësim për “Heba”, Liri (Prizren) me prodhimin e “Sempre” si zëvendësim për “Plazma Keks”, “Eurofood” (Prizren) me prodhimin e “Tomato Keçap” si zëvendësim për “Diamant Keçap”, qumështi Vita (Istog) me prodhimin e “Vita” si zëvendësim për “Moja Kravica”, “Gllareva” (Gllarevë) me prodhimin e “Spec i kuq Dukagjini”, si zëvendësim për “Aleva”, “ASK Foods” (Gjilan) me prodhimin e “ASK marmelata”, si zëvendësim për “Pionir Mermelada”, “Stone Castle” (Rahovec) me prodhimin e “Stone Castle”, si zëvendësim për “Navip”
Kjo strategji serbe kishte bërë që Kosova, ndonëse nuk njihej si e pavarur nga Serbia, megjithatë të mbetet ‘parajsë’ për ndërmarrjet e caktuara serbe, qoftë në zvogëlimin e obligimeve tatimore, qoftë në ikjen e tërësishme të tatimeve.

Për habinë e të gjithëve, kjo strategji djallëzore e Beogradit, as që ishte regjistruar nga radarët e burokratëve të Brukselit. Këta të fundit një kohë të gjatë abuzuan me disponimin dhe orientimin properendimor të Kosovës dhe shqiptarëve dhe për rrjedhojë vendosën standarde asimetrike, duke e favorizuar Serbinë, në kufijtë e përkëdhelisë së pakutimtë. Është koha e fundit që standardet të rikthehen në kuptimin burimor të tyre, duke respektuar të gjitha parimet që parashohin dokumentet dhe konventat paraaderuese në BE (sidomos ajo e Kopenhagës), ku Serbia, mbi të gjitha, duhet  tregohet se nuk është më ajo e mëparshmja, luftënxitsja e konflikteve të përgjakshme, por një Serbi tjetër që e pranon realitetin e ri, përfshi edhe pavarësinë e Kosovës.

(Autori është publicist i njohur dhe me përvojë nga Shkupi në Maqedoni)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë