Loading…

Për tetë muaj rresht Qeveria injoron kërkesat e sindikatave

  • 13/05/2022 | 14:07

Për tetë muaj rresht Qeveria injoron kërkesat e sindikatave

Mëngjesi i së enjtes, shumë punëtorë të sektorit publik i gjeti si zakonisht në hapësirat e vendit të punës, por jo duke punuar. Kjo pasi që të njëjtit mbajtën grevë njëorëshe, duke sabotuar punën, si shenjë pakënaqësie ndaj mospërfilljes së kërkesave të tyre, nga ana e qeverisë.


Kërkesa esenciale që e kanë punëtorët, është ndarja e 100 eurove çdo muaj për të gjithë punëtorët e sektorit publik, deri në miratimin e Projektligjit të pagave.

Kështu, me qëllim që kërkesat e punëtorëve të merren më seriozisht, niveli arsimor fillor dhe i mesëm, punëtorët e termocentraleve, punëtorë të komunës së Prishtinës dhe të tjerë i janë bashkuar grevës njëorëshë.

Por, përkundër protestave dhe grevës së mbajtur, qeveria ende nuk ka ndërmarrë asgjë rreth kërkesave të tyre.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (PSPK), ende qëndron me shpresën se qeveria do të nisë dialogun e sinqertë social.

Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së, thotë se nuk ia kanë dalë të ulen me qeverinë dhe bashkërisht të dialogojnë për të gjitha shqetësimet.

“BSPK nuk do të heqë dorë nga e drejta ligjore e përdorimit të mjeteve sindikaliste për realizimin e të drejtave të arsyeshme të punëtorëve. Mbi të gjitha jam zotuar që nga 2 tetori 2021, kur edhe e mora mandatin e Kryetarit të BSPK-së, se do të jem këmbëngulës në realizimin ligjor, të drejtë, të duhur e në kohë të kërkesave të arsyeshme të punëtorëve, të cilat ia kemi drejtuar dhe do t’ia drejtojmë vazhdueshëm Partnerit tonë Social – Qeverisë. Besoj fort se thirrja jonë do të dëgjohet dhe Partneri ynë Social – Qeveria do të nisë me ne dialogun e sinqertë social”, tha Hykolli për gazetën Nacionale.

Ai ka vlerësuar se veprimet e tyre janë në përputhje me organizimin sindikal.

“Veprimet tona janë të menduara mirë dhe nuk bëjmë veprime jo të mira edhe pse dikujt mund edhe të mos u pëlqejnë. Mundohemi fuqishëm që veprimet tona të jenë në pajtim me rolin dhe përgjegjësinë që kemi bazuar në ligj për organizimin dhe veprimin sindikal. Veprimet dhe thirrjet tona drejt Partnerit tonë Social, Qeverisë, nuk kanë qenë veprime e thirrje dëmtuese, prandaj presim që Partneri ynë Social-Qeveria, të reflektojë dhe mbi të gjitha të veprojë shpejt e si duhet që shqetësimet reale të largohen e kërkesat e arsyeshme të përmbushen jo me premtime po me veprime të duhura e me punë të duhur e me bashkëpunim të sinqertë”, shtoi kryetari Hykolli.

Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili ishte gjatë ditës së enjte në një nga shkollat ku po mbahej greva, tha se nëse qeverisë i dhimben nxënësit dhe mësimi, le të ulen me sindikatat për të biseduar.

“Nëse i dhimbsen Qeverisë Kurti nxënësit dhe mësimi, le të ulet me sindikatat dhe të bëjë zgjidhje. Urojmë që greva e sotme të tingëllojë në veshët e qeverisë, por jemi duke u përgatitur edhe për 20 maj për protestën në Prishtinë. Pastaj çfarëdo që ndodh, do të vendosni ju”, tha Jasharaj.

Më tej, ai ka shtuar se Qeveria ka mundësi të shumta për të ofruar zgjidhje.

“Nëse Qeveria Kurti ashtu siç paraqitet që shqetësohen se po humb mësimi nga greva, e kanë mundësinë që të ofrojnë zgjidhje, të thonë të vazhdojnë me 100 euro dhe ja ligji e hajde të punojmë së bashku. Një ligj që na e punon dikush tjetër, ne nuk e pranojmë”, përfundoi kryetari i SBASHK-ut.

Që nga muaji tetor i vitit të kaluar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, iu kishte premtuar sindikatave, se do të punohet në miratimin e Projektligjit për paga, por që nga ai muaj, as edhe një takim nuk është zhvilluar nga Sveçla me sindikatat, për t’u treguar nëse ka punuar diçka kjo ministri.

Kërkesat e sindikalistëve

Përfaqësuesit e sindikatave kanë bërë me dije se veprimet e tyre sindikale nuk do t’i ndalin deri në realizmin e kërkesave të tyre.

Ata kanë treguar se për Qeverinë kanë tri kërkesa kryesore. Kërkesa e parë është miratimi i Projektligjit të Pagave sa më shpejt që është e mundur dhe fillimi i zbatimit të tij, ndërsa deri në fillim të zbatimit të këtij ligji, rritja e pagave të jetë për 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës.

Kërkesa e dytë ka të bëjë me fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor.

Kurse kërkesa e tyre e tretë, është plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Sindikatat kanë paralajmëruar protestë edhe më 20 maj, për kërkesat e tyre të cilat nuk po merren parasysh nga Qeveria.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë