Loading…

Përballja e komunave me krizën e COVID-19

  • Nga

  • MUHAMET  BYTYÇI

  • 02/05/2020 | 15:25

Përballja e komunave me krizën e COVID-19

Kriza  Covid-19 që po ballafaqohemi tash e 2 muaj në Republikën e Kosovës shpërfaq  aftësitë dhe dobësitë e kapaciteteve tona komunale për tu ballafaquar me një krizë. Komunat si adresa e parë e qytetarëve sikurse edhe në rastet tjera edhe gjatë kësaj krize ishte mundësia e parë për zgjidhje të shpejta përballë sfidave që u ndodhën qytetarët.


Shkruan: Muhamet Bytyçi 

Për të shtjelluar më gjerësisht situatën në këtë shkrim jam fokusuar në tre elemente  që tregojnë gjendjen e komunave tona.

Fillimisht kam trajtuar aftësinë e komunave në kohë krize, pastaj kam trajtuar bashkëpunimin ndërkomunal gjatë krizës si një element me rëndësi dhe kapitalin social që kanë komunitetet në komunat  tona.

Sa ju përket kapaciteteve Komunale, nga ajo që kemi parë që nga fillimi i krizës Covid-19, mund të themi që në Republikën e Kosovës kemi komuna që kanë kapacitete me u ballafaquar me kriza të tilla dhe ja kanë arrit deri në njëfarë niveli, me tregu përformancë të mirë dhe komuna që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për kriza të tilla dhe se nevoja për mbështetje nga niveli qendror dhe institucionet tjera ishte e madhe.

Komunat e mëdha me buxhet më të madh, me resurse humane më shumë dhe me përqëndrim më të madh të kapitalit kanë treguar që mund të ballafaqohen deri në njëfarë niveli me kriza të tilla. Shembull është Komuna e Prishtinës, Ferizajit dhe Gjilanit deri më tash. Ndërsa Komunat më të vogla si Vitia, Malisheva, etj., ishin ato që paten shumë sfida në ballafaqimin me krizen që në ditet e para.

Por çka është për tu vlerësuar në të dyja rastet si te komunat e mëdha si tek ato me të voglat,  është përkushtimi i udhëheqësve lokal për të ndihmuar njerëzit, presioni komunal ndaj Qeverisë qendrore për të ndihmuar dhe angazhimi për t’i bindur qytetarët që të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe veten.

Ajo çka po mësojmë gjatë kësaj krize është se Komunat duhet të punojnë në plane për tu ballafaquar me kriza të tilla dhe duhet ndërtuar kapacitete për tu përballur me to.

Komunat që kishin mungesa në kapacitetet shendëtësore, mungesë të resurseve humane, për të informuar shpejt dhe në mënyrë më masive qytetarët dhe problemet tjera duhet të punojnë në të ardhmen në këtë drejtim, që t’i eliminojnë këto.

Bashkëpunimi ndërkomunal; Kur vlerësojmë  bashkëpunimin  ndërkomunal gjatë kësaj kohe mund të themi se ai ishte shumë dinamik dhe po ndodh vazhdimisht në dy forma kryesore.

Forma e parë e bashkëpunimit ndërkomunal gjatë krizes COVID-19 është angazhimi i përbashkët dhe përkushtimi e gatishmëria për ndihmë direkte  një komune, komunën tjetër. Ndërsa forma e dytë e bashkëpunimit ndërkomunal është shumëfishimi i një praktike të mirë si model i një komune edhe në komunat tjera, adaptimi i praktikave të mira.

Kur jemi te bashkëpunimi direkt i një komune me  komuna tjera nga informatat që kam marrë nga webfaqet e komunave por edhe bisedat direkte që kam arritur t’i kem me zyrtarë komunal, rezulton se Ferizaj, Gjilani dhe Kamenica janë shembull i mirë i këtij lloj bashkëpunimi.

Takimet e kryetarëve të Anomoravës dhe gatishmëria e Komunës së Ferizajit për të ndihmuar me staf dhe resurse Komunën e Kamenices janë shembull për t’u vlerësuar të bashkëpunimit ndërkomunal.

Ndërsa bashkëpunimi në ndarjen e praktikave të mira apo në shumfishimin e politikave për të dalë me dëme më të vogla nga kriza është Komuna e Prishtinës, e cila ka shërbyer si shembull për shumicën e komunave që po ballafaqohen me krizën.

Komunikimi dinamik me publikun i kryetarit të Komunës së Prishtinës përmes rrjeteve sociale dhe mediave tjera, shumë shpejt u bë praktikë e pothuajse të gjithë kryetarëve të komunave të Kosovës. Masat për dezinfektim të hapësirave publike, masat për të ju dalur në ndihmë familjeve që janë në nevojë, thirrjet e vazhdueshme për kujdes dhe vetkujdes, planet për krizën, mobilizimin e vullnetarëve e shumë praktika të tjera u shumëfishuan me shpejtësi, kjo është  përparësi e madhe në menaxhim sa më të mirë të krizes, kur dihet se komunat nuk janë ishuj!

Kjo krizë ka treguar se sa i rëndësishem është bashkëpunimi ndërkomunal, sa të rëndësishme janë kontaktet dhe shkëmbimi i përvojave, sa i rëndësishëm është ndjekja e politikave të mira për qytetarët, sa i rëndësishëm është bashkëveprimi për interesin e përbashkët.

Një element shumë me rëndësi dhe që duhet patjetër me e vë në pah, është që në bashkëpunimet ndërkomunale gjatë krizës nuk ka ekzistuar elementi i ndarjes partiake e politike. Kryetarët e komunave kanë bashkëpunuar në mes vete pa pengesa e paragjykime.

Sigurisht sikurse për kapacitetet komunale, edhe për bashkëpunimin ndërkomunal ka shumë gjëra që duhet thënë, por këtu u paraqiten vetem disa praktika që kanë qenë më të dukshme gjatë kësaj krize.

Ndërsa çështja e tretë që dua ta ve në pah është kapitali social që kanë komunat tona.

Mobilizimi për të ndihmuar njëri tjetrin gjatë krizës ishte i mirë. Nga ajo që kam hulumtuar, në lajmet që kanë publikuar Kryetarët e Komunave, por edhe mediat e qytetarët, shihet qartë një solidaritet i madh shoqëror.

Pothuajse nga secila Komunë ka lajme për ndihmat që ofrojnë qytetarët, kompanitë dhe diaspora. Vullnetarët e paraqitur për të ndihmuar në disa Komuna dhe puna e komuniteteve që është parë gjatë kësaj krize tregon shumë për kapitalin social që ka vendi ynë.

Ky është një lajm shumë i mirë për një shoqëri që mëton të ketë progres e zhvillim. Dhe komunat e kanë detyrë që edhe pas krizes të punojnë shumë në ngritjen e besimit për menaxhim të duhur e transparent të situatave, që ky kapital të rritet dhe shoqëria të ketë më shumë besim, më shumë vullnet e përkushtim për të promovuar vlera të solidaritetit, besimit, bashkëpunimit e bashkëveprimit në komunitet.

Tani kur shumë vende në botë kanë filluar hapjen dhe rikthimin në normalitet Komunat e Kosovës duhet të mendojnë dhe planifikojnë strategji për rimëkëmbjen ekonomike dhe rikthimin në normalitet pas krizes.

Do të ishte sukses nëse dëshpërimin dhe lodhjen nga izolimi t’a kthenim në energji për punë sa më të mira për shoqërinë e Republikën në përgjithësi.

(Autori është Master ne Politika Publike dhe Menaxhim. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë