Loading…

Perënditë e primatëve të Prishtinës

  • Nga

  • XHEMAL AHMETI

  • 23/07/2020 | 12:25

Perënditë e primatëve të Prishtinës

Kushtuar Isa Mustafën, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Ndoshta ky tekst drejtuar akademikëve dhe primatëve politikë të apostrofuar në moto do tu duket akt megaloman i një vërdallësi botëve. Nga ana ime guximin publik për këtë shkrim e marr nga promovimi im disaherësh universiteteve zvicerane në shkencat e religjioneve, historinë krahasuese, filozofi e të drejtimit. Shpresoj ta lexojnë.

Shkruan: Xhemal Ahmeti

I.

Filozofi Blerim Latifi paradokohësh, duke përdorur si referencë filozofin dhe leksikografin anglez Samuel Johnson na sugjeroi që thënien e tij „patriotizmi është streha e fundit e horrave“ ta modifikojmë në „feja është streha e fundit e horrave“ të sotëm. Me kë e pati ai vallë?

Nga ana tjetër a nuk ishte përherë kështu në histori: sapo erdhi botëkuptimi kopernikas dhe përzuri njeriun nga pozita e epiqendrës së universit ai zbuloi Unin – nëse jo i epiqendrës atëherë i vetes, konform parullës „cogito ergo sum“. Nuk shkoi gjatë edhe nga aty e përzunë. Freudi zbuloi nënvetëdijen dhe i tha homo sapiensit mos u lazdro se s’je „zot i shtëpisë tënde“- as unit? Gehlen na tha se që nga plugu, me shpatë e deri tek libri ne jemi defekt dhe më me pakë vlerë se kafsha e cila mbijeton pa veglat teknologjike pyjeve e alpeve. E ku të ikte njeriu i gjorë nga gjitha këto rrëfime, të cilat qoftë të vijnë drejtpërsëdrejti apo nga rrethe-rrotull të gjitha një e burim e kanë: ato nisen nga rrëfimi religjioz që thotë se njeriu është mëkatar i papërmirësueshëm ngase është fundërrinë. Jo tha njeriu i revoltuar i Albert Camu-së: vdekja është absurdi. Deri atë ditë kur të vdesim kemi ideologjitë që na i japin kuptim jetës. E zbuluam patriotizmin. Dikur si duket na nxori jashtë ky. Kush nxori jashtë Kadri Veselin, Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën që të kërkojnë strehim në xhaminë e madhe që do të ndërtohet me paratë e presidentit turk Erdogan? Dhe jo vetëm kaq: njëri tha jemi 95% myslimanë prandaj është normale që Erdogani të na i ndërtojë xhamitë; tjetri tha „religjionet përbëjnë shpirtin shqiptar“, i treti iu bashkua korit duke thënë se toleranca ndërfetare është shtylla e kulturës sonë. Vërtetë është kështu, të qëndrojnë këto teza e ne tjerëve na ka kapur osmanofobia?

II.
Vetëm pas një ecjeje historisë faktografike mund të shërbehemi me instrumentet e Donald Davidsonit, Anscombes dhe kompanisë për ti kuptuar primatët në fjalë, respektivisht të kuptojmë karakterin e tyre si veprues, qëllimet, dëshirat, afektet e veprimeve në mungesë të tyre dhe efektin e politikës së tyre. Të kuptojmë pa u përlarë nga inatet periferike dëshirën e tyre që religjioni ta zë vendin si causa prima e finalis e identitetit shqiptar – ashtu siç e agjitojnë dhe synojnë që pas bombave të NATO-s plotë klerikë.
Le të përdorim vetëm ato të dhëna historike që sot nuk kontestohen nga një shumicë e laboratorëve shkencore të botës.

III.

Hebrenjtë elementin kryesor të vetëkonstituimit të tyre si komb, kulturë dhe identitet e bazojnë në librin e tyre të shenjtë – dhiatën e vjetër pa të rénë. Politikisht vazhdojnë edhe sot kështu. Këtë model e imituan edhe arabët, narrativa identitetare (si arab: saudit, katarez etj.) e të cilëve nis me Kur‘anin. Edhe sot ka identitete, të cilat në mungesë të një rrëfimi adekuat që do materializonte mjaftueshëm konstruksionin e gjenezës dhe formimit të tyre, që thirren ekskluzivisht në mëshirën e Zotit. Atij që solli këta apo ata si të parët. Religjioni – siç është rasti me teologjinë politike të kishës maqedonase – është rrëfimi i tyre i vetëm brenda sagës rreth autoktonitetit. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, në veçanti sllavët e Evropës Juglindore, për të fshehur dyndjet e „vonshme“ gjatë shekullit 7 nga zonat tjera të globit ku mbizotëronte shamanizmi, përdorin poashtu rrëfimin biblik të misionit palik për të bindur botën se ata ishin para tjerëve në rajon.

Të tjerët që nuk kanë pasur fatin t‘i bëj perëndia nga balta ose nga briri i Hazreti Ademit, sepse kanë qenë jashtë radarit të tij të interesit ose disa edhe ngase janë kontinuitet ekzistencial qysh para se njeriu ta zbuloi me tru se ai, Zoti x a y, ekziston qoftë si shumë, një apo hiç nuk janë ngritur mbi rrëfimin e popullit të shenjtë. Me ketë religjioni/religjionet nuk kanë qenë aspak burimi i formimit të tyre por maksimalisht pjesë herë irrelevante e herë relevante e përditshmërisë dhe jetës së tyre.

Ilirët dhe dardanët (vetë emrat që vijnë nga mitologjia) si gjitha formacionet tjera kulturore të kohës ishin paganë. Ardhja e monoteizmit, respektivisht teokratizimi i perandorive (Konstantinët dhe Justiniani) hapi procesin e zhbërjes së tyre si formacione politike: u shuan si ilirë, për të mbijetuar si dardan, pastaj si arbër e deri sot si shqiptarë. Proces që zgjati 13-14 shekuj. Në këtë e sipër mirëpo dështoi çdo përpjekje të tjerëve për t‘ua prerë atyre litarin e ekzistencës si formacion kulturor. Prandaj jemi ende: Kadri Veseli bashkë me Besën, Memliun dhe Uranin, Hashimi me Tërnavën, Isa dhe vogëlsia ime – unë.

Të vetëdijshëm me këtë biografi specifike shqiptare, pa mohuar rolin social të priftit dhe Hoxhës që nga Pjetër Bogdani, Fishta, Mulla Idriz Gjilani e deri tek ushtari i fundit i UÇK-së luftuan me flamurin shqiptar për lirinë dhe krijimin e dy shteteve shqiptare e jo me atë të kryqëzatave e as me atë të gjelbërtin e dovletëve. Së fundi mbi 400 shqiptarë vdiqën duke luftuar me të ziun e ISIS-it. Situata ka ndryshuar pra. Kush e ndryshoi këtë?

III.

Pas difamimit grotesk të iluminzmit dhe idesë së progresit u rikthye religjioni si kryetemë. Në këtë aferë „postmoderne“ ku religjionet janë kthyer me fuqi në jetën e përditshme të njerëzve është gati normale që politika të bëjë çmos ta instrumentalizojë ato për vota. Gjithandej ndodhë: evangjelistët e Bushit dhe Trumpit nuk janë më pak agresivë se teonacionalistët e Ankarasë dhe populistët e Zvicrës, të cilët xhematin e agregojnë kryesisht nga kishat evangjeliste. Gjitha këto rryma religjioze globale mirëpo nuk ia dalin që të shndërrojnë SHBA-të (me 2-300 vite histori), Zvicrën (multikulturore) në teokraci e assesi në marionetë të ndonjë teokracie; Erdogani falsifikon biografinë e islamit për ta deplacuar Mekën në Stamboll dhe shtyp identitete milionëshe në favor të nacionalizmit turk të tipit anadollak me synimin e ringjalljes së perandorisë osmane – që e përvetëson si konglomerat turk. Gjersa gjithë këta, përkundër absorbimit të religjiozëve si votë nuk dorëzojnë identitetin e tyre kulturor pse e bëjnë shqiptarët? Pse duhet të ndodhë ky falsifikim në dëm të një identiteti kulturor që s‘pati fatin ta bëj Zoti, e ky pastaj të lë fjalën dëshmi siç bëri për hebrenjtë dhe arabët.

IV.

Ndoshta po të isha votë dhe po të më respektonte si intelektual (që s’jam në sytë e tyre e as në të mitë) Isa Mustafa do të më përgjigjej duke më thënë se kam keqkuptuar, ngase nuk tha se duhet ta braktisim identitetin shqiptar për shkak të xhamisë që do të ndërtohet në Prishtinë dhe se myslimanizmi është pjesë e kulturës e jo kultura vetë. Ose do ë më thoshte troç; dy kolegët e tij nga PDK kanë të drejtë. Dy të tjerët ndërkaq nuk e di se si mund të përgjigjen pro tezës se fetë nuk janë identiteti shqiptar, kur ato janë „përmbajtja, shpirti dhe shtylla kryesore“ e tij (Thaçi dhe Veseli). Për tu konfirmuar edhe njëherë as që kanë nevojë.

V.

Nëse sot mbizotëron narrativa konstruktiviste se kosovarët janë komb islam me popullsi shqiptare (për shkak gjuhës, ngase tjerat si artet, letërsia, tradita, mënyra e veshjes, arkitektura, kodet e komunikimit social etj. kanë hyrë në procesin e turqizmit dhe arabizmit) kush janë autorët e këtij rrëfimi? Dje e pranuat (bashkë me liderët e partive më të vogla si Pacolli) se 95% e popullsisë së Kosovës ka pra atë kulturë në bazë të së cilës arsyetuat ngritjen e xhamisë sipas modelit osman me financa të Erdoganit.

Po pse islami patjetër osman? Në thelb kjo ka një intrigë të bukur në vete: duke refuzuar ta shpallni atë shqiptar – islamin – e mbani larg e të ndarë nga identiteti shqiptar. Që nesër kur të ndryshojë mentaliteti, opinioni për shkak të triumfit të shtetit ligjor dhe demokracisë pluraliste mbi krizat dhe konfliktet e shkaktuara nga radikalët religjioz që duan shtetin, të na thoni se nuk kuptuam thellësinë e inteligjencës suaj. E po u instalua sheriati të na thoni se ne përherë ishim kështu, kryesorja votat t’i keni të sigurta. Natyrisht se ky pasusi i fundit është shpikje imja, ndoshta nuk reflektoni kaq thellë e intrigueshëm. Megjithatë pse e latë shtetin deri sot pa ligj për fetë?

U shkruaj ngase ju edhe mund ta merrni gjithë këtë punë si zbavitje politike, pra për të siguruar votat për klubet dhe partitë që keni. Unë analizoj nga perspektiva e antropologut që njeh mirë religjionet dhe e di se tërmetet në identitet; se instrumentalizimi i religjionit për punë politike apo për blloqe të ndryshme globale; se bashkimi i shtetit me fenë janë gabimi më fatal që e bënë dikur ata që sot jetojnë në mirëqenie, paqe e luks. E dimë se ka qarqe destruktive nga kjo sferë të cilat u thonë „diversiteti fetar është alfa dhe omega e mirëqenies dhe paqes“ e nga ana tjetër kur ua lexojmë analizat vetëm një facit trumbeton si nëntekst: „Kosova duhet të mbahet larg BE-së se i përket zonës kulturore përtej Bosforit“, të djathtë e të majtë. Këta për vete janë sekularë me ligj e me praktikë e çudia e zotit ne na duan më së shumti si mysliman? Ashtu siç u thoni edhe ju votuesve se para së gjithash 95% të tillë jemi ngase fetë janë përbërja e gjenezës dhe ekzistencës sonë. Keni bërë Republikën instrument të njërës fe. Shtabi i së cilës nuk është as në Tiranë, as në Shkup, as në Prishtinë, por në Ankara. A ia vlen t’i bashkëngjiteni kësaj narrative jashtëzakonisht të dëmshme? Parasëgjithash e dëmshme ngase historikisht e aktualisht (ende) materialisht e rrejshme: shqiptarët janë ndër të rrallët, të cilët për shkak të kulturës së gjatë e të madhe u bëjnë vend feve që mezi presin t’ia hanë kokën njëra tjetrës, duke i bashkuar ato brenda vetes, por sapo njëra prej tyre të çoj kokën për hegjemoni, të jeni të sigurt se e njëjta kulturë i vë shpatën e kanunit mbi qafë.

VI.

Të kthehemi tek skema e Davidsonit. Cili është karakteri juaj para lufte, gjatë luftës, pas lufte e në politikë, në patriotizëm dhe brenda kësaj narrative që e shpaloi afera e xhamisë? Deri dje nuk kam qenë pjesë e atij tabori që ua mohon rolet kryesore në bërjen e kësaj Republike siç është sot. Përkundrazi si individ dhe autor u trajtoj si pjesë kyçe të saj historie që s’mund të shkruhet ndryshe se ç’ ishte, ngase do të bëja si ju siç bëni me identitetin dhe kulturën shqiptare. Me retorikën dhe narrativën së cilës i jeni bashkangjitur sabotoni atë udhë qe e kishit para lufte bashkë me Rugovën dhe gjithë atyre që s’janë më. Spoostoni Kosovën në një zonë ku nuk është, siç nuk është Stambolli në Mekë e as Prishtina në Stamboll. Kjo s’duhet të ndodhë as brenda një përralle me baba jagën e jo më të ndërtohet si mentalitet. Merrni qëndrim, jo ndaj kësaj letre, ngase siç thash unë nuk iu vlej as një votë, ngase jam pa shtetësi, por tregojuni njerëzve, atyre që vdiqën dhe këtyre që janë gjallë se në ç’republikë do të jetojnë njerëz po mbetët ju edhe gjatë në pushtet.

(Autori Xhemal Ahmeti është studiues i filozofisë dhe jeton në Bernë të Zvicrës.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë