Paqja e qëndrueshme, të drejtat njerëzore, ndërveprimi mes komuniteteve siç është avancimi i pozitës së grave dhe të rinjve në shoqëri, ishin fushat kryesore për të cilat u bisedua sot në takimin mes përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Misioni në Kosovë, Zahir Tanit dhe Kryetarit të komunës së Ferizajt Agim Aliut, shkruan Gazeta Metro.
Gjatë ditës së sotme një delegacion nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK vizituan qytetin e Ferizajt me çrast u takuan me Kryetarin Agim Aliun dhe zyrtarët nga komuna e Ferizajt.
Ferizaj nuk ishte përzgjedhur rastësisht të vizitohej nga ky delegacion, por është vlerësuar si komunë që ka diversitet kulturor, etnik, paqe të qëndrueshme, shembull të ndërveprimit mes besimeve fetare si dhe pozitë të favorshme gjeografike.
Në këtë takim u biseduan një varg çështjesh si të nivelit lokal ashtu edhe të gjendjes së përgjithshme politike në vend. Theksi u vu mbi vullnetin e dyanshëm që të krijohen e forcohen në vazhdimësi, lidhjet e punës e mbështetja e drejtpërdrejtë, që do të rezultoj me dobi për qytetarët.
Kryetari Aliu tha se Ferizaj paraqet një arterie të rëndësishme të qarkullimit njerëzor e të mallrave për tërë rajonin. Ai shtoi se edhe qeverisja e tij ka ideuar e po implementon një varg projektesh në drejtim të lehtësimit të jetës së përditshme të qytetarëve.
Fushat që zgjuan interes për mbështetje të drejtëpërdrejt nga ana e delegacionit mysafir, ishin ato që kanë të bëjnë me paqen e qëndrueshme, të drejtat njerëzore, ndërveprimi mes komuniteteve si avancimi i pozitës së grave dhe të rinjve në shoqëri, për të cilat delegacionet gjegjëse u dakorduan që të përgatitet një projekt në njërën nga këto fusha, financimin e plotë të së cilës do të mbuloj Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK./gazetametro.net