Loading…

Përfshirja e Kurtit në fushatën zgjedhore të Maqedonisë së Veriut – politikë e gabuar

  • 12/07/2020 | 23:37

Përfshirja e Kurtit në fushatën zgjedhore të Maqedonisë së Veriut – politikë e gabuar

Tre ditë para se të mbahen zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është përcaktuar që ta mbështesë Koalicionin e Aleancës së Ziadin Selës dhe Afrim Gashit.


Mirëpo disa analistë politikë konsiderojnë se ky përcaktim i Albin Kurtit është politikë e gabuar për arsye se Kosova duhet të jetë e paanshme karshi forcave politike shqiptare në vendet fqinje.

Në një prononcim për klankosova.tv, publicisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se nuk është e hijshme që politikanë nga Kosova të përzihen në garat zgjedhore të shteteve fqinje siç është rasti në Maqedoninë e Veriut.

“E shumta çka mund të bëjnë është të thërrasin për unitet siç është rasti i Luginës së Preshevës dhe jo t’i shprehin preferencat e tyre për një forcë politike apo tjetër”.

“Kosova e ka për obligim t’i mbështesë shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe ata të Luginës së Preshevës, por jo të shkaktojë përçarje mes atyre forcave politike. Kushdo që të zgjidhet në parlament nga partitë shqiptare, duhet ta gëzojë përkrahjen e shtetit të Kosovës. Tek e fundit, Maqedonia është një vend mik i Kosovës dhe Kosova duhet të sillet konform këtij fakti”.

“Mendoj se është një politikë e gabuar e Kurtit, për shkakun se Kosova duhet të jetë e paanshme karshi forcave politikë shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë”.

Edhe analisti politik Petrit Zogaj e sheh këtë përfshirje të Albin Kurtit në zgjedhjet e brendshme të Maqedonisë së Veriut si një veprim të gabuar.

Madje, ai ka shtuar se një ndërhyrje e tillë mundet të krijojë një aversion edhe ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve në shtetin fqinj.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, prej kohësh kanë treguar interesim që të përfshihen në një formë apo tjetër në jetën politike në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Diçka që në fakt e kemi parë edhe nga liderët tjerë shqiptarë, siç ishte rasti i Thaçit në vitin 2013 dhe ai i Berishës”.

“Mirëpo, çka e dallon LV-në dhe Kurtin është që ky subjekt dhe vet Kurti janë të përfshirë shumë më direkt në jetën politike në Maqedoninë e Veriut. Kishim rastin kur LV kishte mbështetur Blerim Rekën si kandidat për president, pastaj bashkëpunimin me Aleancën e Selës e kështu me radhë. Pra, ka një tendence që LV të ndikojë me aq sa mundet në përcaktimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në të gjitha zgjedhjet atje”.

“Personalisht nuk besoj se i shërben pozitivisht pozicionimit të shqiptarëve në atë shtet. Kurti ishte Kryeministër i Kosovës dhe mbështetja që tash mundet me dhënë për një subjekt politik atje e ka peshën e vet”.

“Pra, mundet të krijojë animozitet në mes të shqiptarëve. Nuk duhet harruar që një ish-Kryeministër i Kosovës mundet të krijojë një aversion edhe ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Besoj që duhet të kemi më shumë kujdes në raport me atë se si i trajtojmë shqiptaret e Maqedonisë së Veriut dhe si mund të reflektojë kjo në raportet mes dy shteteve”.

Ndërsa analisti Faton Abdullahu vlerëson se një veprim i tillë i Albin Kurtit është bërë për të fituar poena politikë në Kosovë apo gjetiu.

“Ndihma më e mirë që mund t’u jepet sot shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është ajo që në një mënyrë ose tjetër do t’i përafronte ata për t’i bërë unik e për rrjedhojë për t’u faktorizuar – gjë që do të ishte premisë e mirë për begatimin e lirive dhe të drejtave të tyre në këtë shtet”.

“Varianti më i keq i kësaj ndihme është përdorimi i nacionalizmit shqiptar që duke pretenduar se duhet kritikuar, bile edhe ndëshkuar çdo gjë që është punuar tash e sa vite atje, në drejtim të begatimit të të drejtave të shqiptarëve, të fitohen poena politikë në Kosovë apo gjetiu”.

“Kjo është shumë e pandershme, por edhe e dëmshme. Kjo ndihmë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut do të duhej të ishte çështje proces e jo ‘ad hock’ për zgjedhje – gjë që për fat të keq dikush në Kosovë e ka arrogancën e mjaftueshme politike që ta bëjë edhe këtë”.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë