Operacioni i Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ka përfunduar tashmë, shkruan Gazeta Metro.
Lajmin për Gazeta Metro e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Elshani shtoi se sa i përket kontrollimit, gjithçka është e kryer, ndërsa nesër do të vendoset si do procedohet tutje.
“Po, operacioni sa i përket kontrollimit dhe mbledhjes së të dhënave ka përfunduar. Nesër, dikur pas orës 09:00, do të vendoset si do të procedohet tutje”, tha Elshani.
Kujtojmë se autoritetet kosovare tash e dy ditë kanë qenë në një operacion në Banjskë të Zveçanit, atje ku u përballën me terroristë të udhëhequr nga Milan Radoicic, për të cilin raportohet të jetë i shtrirë në spitalin ushtarak të Beogradit, aty ku pretendohet se po merr trajtimin pas plagosjes që pësoi në Banjskë.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 syresh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre sulmues dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet. Ato nuk thanë nëse personat tjerë të armatosur, u larguan.
Ndërkaq deri më tani në aksionin e Policisë, u konfiskua arsenal i madh i armësh dhe numër i madh i veturave të përdorura për sulm. /gazetametro.net