Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca paraprake ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, transmeton Gazeta Metro.
Për ‘Betimi për Drejtësi’ ka folur mbrojtësi i të dyshuarit Ademi, avokati Labinot Murati, ka thënë se vendimi lidhur me kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së arrestit, pritet të merret së shpejti.
Ndaj të parit të FFK’së fillimisht ishte vendosur ndalesa prej 48 orëve, ndërsa sot Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak.
“Ju njoftojme se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kerkese per caktimin e mases se arrestit shtepiak ndaj A.A., ne Gjykaten kompetente”, ka thënë Prokuroria.
Ndryshe, Agim Ademi ishte intervistuar dje nga policia e Kosovës, kurse pas intervistimit ndaj tij Prokuroria e Shtetit kishte vendosur urdhrin për mbajtje prej 48 orëve.
Ademi ishte dërguar në QKUK për shkak se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte shumë e mirë dhe sipas Drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, Ademi u tha se do të qëndrojë edhe sot në klinikë.
Kryetari i FFK’së dyshohet për kryerjen e dy veprave penale ‘keqpërdorimi i besimit’ dhe ‘shmangie nga tatimi’.
Siç u tha të enjten në raportin e policisë i njëjti dyshohet se veprat e lartcekura i ka kryer duke keqpërdorur buxhetin e FFK’së. /gazetametro.net