Kosova muajt e fundit është përballur me shumë protesta të dhunshme, ku policisë së Kosovës i është dashur angazhim i madh për t’i mbajtur ato nën kontroll.
KFOR- së fundi ka organizuar një trajnim për Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe FSK-në, se si të reagohet në menaxhimin e këtyre situatave, shkruan gazetametro.net.
Në ushtrim pati përballje me koktej molotovi, mjete të forta, gaz lotsjellës dhe përleshje
Komandanti i KFOR-it me këtë rast ka thënë se janë të gatshëm për intervenim në këto situata, pa theksuar nëse kanë informacione se vendi pritet të përballet me trazira, dhe nëse qëllimi i këtij trajnimi ishin këto sinjale.
Ushtrimi me emër “Shpata e Argjendtë 2”, ka përfunduar sot. Aty janë demonstruar ballafaqimin me katastrofat natyrore dhe protestat, ku u ndeshën me koktej molotovi, mjete të forta, gaz lotsjellës dhe përleshje mes tyre.
Ushtrimi u zhvillua në bazën e Njësive Speciale, të kampit Vrella. I pranishëm në këtë ushtrim ishte edhe komandanti i KFOR-it, Giovani Fungo, i cili tha se kjo po bëhet për të testuar aftësinë e tyre dhe për të treguar se janë të gatshëm për të intervenuar.
“Sot do të shihni vetëm majën e Ajsbergut, puna me partnerë, puna me Policinë e Kosovës, dhe me EULEX-in bën të mundur që të implementoj moton time “Besim dhe përkushtim”. T’i besojmë njëri-tjetrit, të përkushtohemi ndaj njëri-tjetrit për mjedisin e sigurt dhe lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve të Kosovës, për këtë jemi trajnuar, këtë mundohemi të arrijmë”.
Ky ushtrim që u përmbyll sot, kishte nisur më 21 nëntor. /gazetametro.net