Loading…

Përkujtim: 72 vjet nga lindja e Arbën Xhaferit

  • Nga

  • URAN KRASNIQI

  • 24/01/2020 | 17:12

Përkujtim: 72 vjet nga lindja e Arbën Xhaferit

Me vdekjen e Arbën Xhaferit, shqiptarët mbeten pa njërin prej shpjeguesëve më të mprehtë të proceseve dhe fenomeneve politike, shoqërore dhe kulturore. Tash e tutje, teksa do të shtegtojnë drejt të panjohures, ata do të jenë mangut një mendimtari standard në kallëzimin e rrugëve. Për mua ka qenë autori i parë (kujtoj që para disa viteve shkruante të dielave te “Koha Ditore” dhe të hënën te “Shekulli”) që m’i ka stërvitur nervat të lexoj kolumne më të gjata se sa të tjerat.


Shkruan Uran Krasniqi

Gazetar, studiues i Filozofisë, aktivist për të drejta e liri kombëtare, politikan, vlera e Xhaferit për shqiptarët është e madhe. Nëse heronjtë e rënë në luftëra kanë mbrojtur shqiptarët me armë, Xhaferi i ka ruajtur ata me laps. Askush sikur Xhaferi nuk ka zbërthyer planet e mbrapshta të sllavëve dhe të ekstremistëve fetarë të Lindjes për shqiptarët. Askush më qartë nuk ka folur për orientimin që duhet ta kenë shqiptarët. Në këtë kuptim, ai është i barasvlefshëm me një hero kombëtar, që ka luftuar me pushkë.

Shpeshherë çështja e identitetit zgjon debat, shumë njerëz deklarohen, por vërehet një mungesë e madhe ndër shqiptarë, e cila u krijua me shuarjen e Arbënit.
Sikur të ishte gjallë Xhaferi, sigurisht që do të dilte me shpjegimin e tij që nëse nuk do të ishte e vërteta përfundimtare, do të ishte shumë afër saj. Tash në mungesë të tij çështjen e problemeve identitare e trajtojnë njerëz të pakompetent që shesin mllef të akumuluar kushedi se për çfarë arsye e me të cilin ndikojnë në formimin e opinionit. S’kanë thënë kot kinezët: “Kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret”. Thjesht Xhaferi ka vdekur parakohe…

Në njërin nga panairet e librave në Prishtinë u ndjeva shumë i lumtur që mora edhe kompletin e veprës së Xhaferiit, i konsideruar edhe si rilindasi i fundit. Aty, të botuara nga Qendra Kulturore “Klan Kosova” Prishtinë dhe “DUDAJ” në Tiranë, janë esetë dhe analizat brilante të të tij mbi çështjen kombëtare, identitetin, demokracinë, sfidat e ekstremizimit fetar,kauzën shqiptare në Maqedoni, çështjen e Kosovës e të tjera. Libra që duhej blerë edhe nëse fikesh materialisht!

Tash që nuk është më, mënyra më e mirë për ta kujtuar atë është duke i lexuar shkrimet e tij. Ministritë e Arsimit, në shtetet ku qeverisin shqiptarët, duhet të fusin në programin mësimor në vitin e fundit të gjimnazit disa prej teksteve të Xhaferit, në të cilat trajtohet identiteti i shqiptarëve.

Xhaferi duhet të lexohet për të pasur më të qartë vetveten dhe raportin me të tjerët. Ja se çka thoshte për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Adem Jasharin?
“Pa figurën e Skënderbeut shqiptarët e humbin shtegun, vegzën që e ndërlidh të sotmen e tyre me të kaluarën e lavdishme, vazhdimësinë e traditës, pa e trajtuar atë si aksiomë të identitetit tonë kombëtar do ta humbnim kodin ku puqen të gjitha diversitetet e brendshme fetare, krahinore etj. Kodi kastriotian është nyja që na lidh me të kaluarën, është mapa jonë orientuese për të ardhmen”.

(Kodi kastriotian si kod identitar shqiptar)
Flijimi i Adem Jasharit i dha një ngjyrë, një vlerë të re politikës shqiptare. Ai, si theomah i vërtetë, e kapërceu Rubikonin e frikës, e shpërtheu himeren serbe. Koncepti i tij për shqiptarin nuk përputhej me surrogatin komik të farkuar nga serbët. Adem Jashari kishte, siç do të thoshte Eric Fromm, etikën e qenies. Adem Jashari e kishte qenien etike.

(Etika e qenies: Adem Jashari si Theomahu shqiptar)

Së voni është përuruar edhe autostrada Prishtinë-Shkup, e cila mbanë emrin “Arbën Xhaferi”.
Ashtu siç i shkurtonte distancat mendja e eruditit Arbën Xhaferi sot është shkurtuar distanca Prishtinë – Shkup; ashtu siç lëvizte shpejt mendja e tij ashtu sot mund të lëvizet shpejt nga njëra anë në tjetrën, ku jetojnë shqiptarët. Autostrada “Arbën Xhaferi” i bën më të afërt shqiptarët, ashtu siç dëshironte Arbëni.

(Arbën Xhaferi u lind më 24 janar 1948 në Tetovë. Ky shkrim është përmbledhje e vlerësimeve të autorit për Xhaferin në data që lidhen me të).

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë