Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka përkujtuar gazetarin Enver Maloku
Ish kryetari i LDK’së pati thënë se dora vrasëse antishqiptare ia mori jetën me pritë tinëzare atdhetarit të përkushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Enver Maloku.
“Enver Maloku e gjeti vendin e vet në profesionin e gazetarit, prej të cilit profesion tash e ndau vdekja tragjike kaq e hershme, e kurdisur nga qarqet antishqiptare, me qëllim që të ndërprejë penën dhe fjalën e tij që ishte sa e shpejtë aq analitike, sa e kritikës së rreptë aq mobilizuese, që ecte bashkë me rrjedhat e të shpeshtën t’u paraprijë atyre”, pati thënë ndër të tjera Sejdiu:
Postimi i plotë i Sejdiut:
Në tëtëmbëdhjetë vjetorin e vrasjes së Enver Malokut
… dora vrasëse antishqiptare ia mori jetën me pritë tinzare në moshë kaq të re e në kulm të pjekurisë intelekutale e të përkushtimit atdhetar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
….Enver Maloku e gjeti vendin e vet në profesionin e gazetarit, prej të cilit profesion tash e ndau vdekja tragjike kaq e hershme, e kurdisur nga qarqet antishqiptare, me qëllim që të ndërprejë penën dhe fjalën e tij që ishte sa e shpejtë aq analitike, sa e kritikës së rreptë aq mobilizuese, që ecte bashkë me rrjedhat e të shpeshtën t’u paraprijë atyre.
…Enver Maloku në Televizionin e Prishtinës ishte njëri nga emrat kryesorë në redaksinë e kulturës së Televizionit Shqiptar, ku me gjallëri të posaçme ndërtoi modelin e një qasjeje të re në artin gazetaresk ndaj kulturës shqiptare dhe botërore dhe, në të njëjtën kohë, bëhet zë i fortë e kundërshtues ndaj të gjitha atyre mësyerjeve që i bëheshin fjalës shqipe dhe kulturës shqiptare.
Paralelisht me këtë, Enver Maloku iu përkushtua edhe shkrimeve në rrafshin politik, për ngjarjet dhe për njerëzit, e posaçërisht u angazhua, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, si udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës për ta arsyetuar dhe argumetuar fort e mirë, gjithmonë dhe në çdo kohë, projektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
– Në të gjitha këto vite të përbashkëta pune, që nga viti 1991, Enver Maloku nuk pati orar pune. Ag e terr ishte në detyrë, deri në këtë ditë të kobshme të ndarjes të tij fizike nga ne. Shkrimet e Enver Malokut dhe informatat e Qendrës për Informim të Kosovës, të cilën e udhëhoqi ai, ishin shkrimet e para burimore, të ndërtuara dhe të përgatitura me pjekuri, që hynin në qarqet më të larta diplomatike ndërkombëtare dhe të vendeve me influencë, për të përcjellë kështu mesazhet e përditshme të Kosovës dhe të vërtetën për të.
…Enver Maloku, pa mëdyshje, mund të llogaritet si një nga prijetarët e zellshëm të një shkolle të re të shkrimit gazetaresk dhe të mendimit politik në Kosovë, që diti, me aq energji dhe aq fuqishëm, të hyjë në një epokë të re të gazetarisë kombëtare e të përputhshme me gazetarinë moderne dhe mendimin modern politik, që përshkohet me vlerat më të larta që mobilizojnë popullin në luftën e tij për liri e pavarësi dhe që e nxisin atë dhe e inkurajojnë që, krapërkrah me të, të bëjnë ndërtimin e një shoqërie civile demokratike.
Pikërisht për këtë, nga dora antishqiptare u bë atentat me vrasje mizore e kaq tinzare ndaj Enver Malokut, intelektualit shqiptar që diti kaq mirë dhe fuqishëm ta artikulojë shqiptarizmën, ta artikulojë pa hezitim fjalën dhe mesazhin e tij për liri.
(Pjesë nga fjala ime për Enver Malokun, mbajtur në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, mbajtur më 12 Janar 1999, ditën e varrimit. Kjo fjalë është mbajtur në selinë e institucioneve të Kosovës, sot Shtëpia e Pavarësisë).