Komisioni Evropian ka ngritur çështjen e moskompletimit të përbërjes së KQZ-së. Në raportin e tij vjetor për Kosovën, ky institucion i Bashkimit Evropian ka vlerësuar se kjo ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Sipas raportit në fjalë, përbërja e institucionit që organizon zgjedhjet në Kosovë ende mbetet e paplotë.
“Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, emërimet në KQZ u bënë me vonesë dhe mbeten të paplota, ku Komisionit i mungon ende njëri nga 11 anëtarët e tij për shkak të një mosmarrëveshjeje politike rreth përbërjes së tij”, thuhet në raport.
Gjithashtu, në këtë raport flitet për përpjekjen e pushtete për të politizuar KQZ-në.
Megjithatë, sipas raportit, mekanizmat mbikëqyrës të KQZ-së funksionuan në mënyrë efektive.
“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta politizuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përfshirë përpjekjet për të penguar certifikimin e Listës Serbe dhe rezultateve të saj, mekanizmat mbikëqyrës funksionuan në mënyrë efektive dhe përpjekjet për politizim ishin zbutur deri në kohën e zgjedhjeve të qershorit 2026. Mekanizmat për zgjidhjen e kontesteve vepruan në mënyrë efektive dhe me shpejtësi për t’i trajtuar ankesat” thuhet në raport.

Para publikimit të këtij raporti, Gazeta Nacionale ka raportuar disa herë për çështjen e përbërjes së KQZ-së.
Edhe një ditë më parë, gazeta ka raportuar se sikur paraardhëset e saj, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, po e injoron një “patate të nxehtë” që e ka në tavolinë nga dita e parë.
Megjithëse janë bërë një muaj kur Justina Shiroka-Pula mori detyrën e Presidentes së Kosovës, ajo vazhdon ta mbajë të pakompletuar përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili aktualisht nga 10 anëtarë nga 11 sa duhet.
Presidentja e re duket se ka zgjedhur të vazhdojë rrugën e lënë përgjysmë dhe të kontestuar nga paraardhësit e saj, duke zvarritur emërimin e anëtarit në KQZ, një pozitë për të cilën përplasen pretendimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kjo çështje, e cila është edhe testi i parë i madh i integritetit institucional për shefen e re të shtetit, nuk dihet ende se kur do të marrë dekretimin e të parës së shtetit.
Kjo pasi ky post në KQZ pretendohet nga LVV-ja dhe PDK-ja, dy subjektet politike që ia mundësuan Justina Shiroka-Pulës të jetë presidentja e shtatë e Republikës së Kosovës.
Ndonëse Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë mënyrën e ndarjes së përfaqësimit në KQZ ndërmjet subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, ish-ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e ka lënë të paplotësuar përbërjen e këtij institucioni. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ky institucion ka rol kyç në administrimin e proceseve zgjedhore dhe në garantimin e besueshmërisë së tyre. Për këtë arsye, mënyra se si do të plotësohet ulësja e mbetur mund të ndikojë edhe në perceptimin e paanshmërisë së institucionit.
Prandaj, vendimi i parë i rëndësishëm i presidentes së re në këtë drejtim mund të japë një sinjal të qartë se si ajo do ta ushtrojë rolin e saj në raport me partitë politike dhe institucionet e vendit.