Një ndër to është edhe ai i anëtarit të AAK-së, Halil Matoshit,i cili përmes një shkrimi në facebook, ka bërë të ditur se kjo votë është e njëjtë me votat e mëparshme për president të cilat më pastaj janë shpërblyre me terminale e postë të ndryshme.
“Cili âsht dallimi ndërmjet votës së Albena Reshitajt për Vjosa Osmanin dhe e Margerita Kadriut për Hashim Thaçin, që u shpërbly me terminal? Cili âsht dallimi mes votimit të Reshitajt dhe Alma Lamës që fitoi postin e diplomates? Cili âsht dallimi i kësaj vote dhe votës së Adem Hoxhës për Qeverinë PAN ose Haxhi Shalës për Qeverinë Hoti?”, ka shkruar fillimisht Matoshi.
Ai tutje ka thënë se vota potenciale e Fadil Gashit sot, e ka po të njëjtën peshë si të lartëpërmendurat, pazar për terminale e joshje për postë diplomatike.
“Vota potenciale e Fadil Gashit sot, e ka po të njajtën peshë: Pazar për terminale, joshje për poste diplomatike, heqje aktakuzash për afera korruptive, kofera me pare e mjerime tjera! Oj Kosovë oj nâna ime!”, ka përfunduar ai.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-ambasadores së Kosovës në Romë dhe kandidates për deputete nga radhët e LDK-së, Alma Lama, e cila duke i replikuar Matoshit, i tha se asokohe ka respektuar vendimin e partisë për të marr pjesë në seancë dhe se ajo po ashtu ka lënë mandatin e deputetes dhe ka shkuar në një pozitë më të ulët.
Gjithashtu Lama, i është përgjigjur Matoshit, duke i thënë se ajo ndryshe nga ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ndonjë partie të inkriminuar dhe se nuk ka bërë avokatin e tyre, duke akuzuar Matoshin se po e bënë atë.
“Halil Matoshi, dallimi i pare eshte se une kam qene ne LDK, dhe kam respektuar vendimin e partise, per te marre pjese ne senace, por kam votuar kunder. Dallimi i dyte eshte se une kam lene mandatin e deputetes dhe kam shkuar ne nje pozite edhe me te ulet. Dallimi i trete eshte se une, ndryshe nga ti, nuk kam qene asnjehere pjese e ndonje partie te inkriminuar, as nuk kam bere avokatin e tyre, sic ben ti. Si nje ish gazetar mund te them se gjykimi yt eshte i varfer, si nje ish mik, mund te them se sjellja jote eshte edhe me e varfer ne aspektin njerezor”, ka thënë ajo.
Nuk ka shkuar shumë dhe një përgjigje nga Halil Matoshi, e mori Alma Lama.
Matoshi i tha Lamës në një tjetër replikë se është krenar që i ka shërbyer ish-kryeministrit Haradinaj dhe shtetit, ndërsa theksoi se është po aq krenar që kurrë asnjë cigare duhan se ka marr shpërblim nga askush.
“Jam shumë krenar për aq dhe për çka i kam shërby Kryeministrit Haradinaj dhe Shtetit. Jam poaq krenar qe kurrë asnjë cigare duhan s’e kam marrë si shpërblim nga askush. Dhe asht turp me inkriminu parti politike shqiptare, aq ma tepër kur ajo ka një sfond heronjsh të gjallë për lirinë e Kosovës! Sa për respektimin e qëndrimeve të partisë, po saktë, por erdhi posti për “konstruktivitet””, iu përgjigj Matoshi.
Pas kësaj, sërish Lama e pyte Matoshin, duke i thënë se si është punësuar vajza e tij në RTK.
E kjo duket se e ka irrituar Halil Matoshin i cili ia ka bllokuar komentimin Lamës. Por kjo e fundit nuk u ndal me kaq. Ajo pak minuta më parë ka shkruar edhe një status në profilin e saj në Facebook, duke thënë të bëhet burrë dhe ta durojë të vërtetën.
“Halil Matoshi, sulmon pastaj te bllokon mundesine per te komentuar dhe pastaj te bllokon krejt. Halil, behu burre e duroje te verteten!”, ka shkruar ajo.