Loading…

Përplasje tjetër mes Qeverisë e SBASHK’ut: Kompensimi orëve të humbura

  • 03/10/2022 | 18:25

Përplasje tjetër mes Qeverisë e SBASHK’ut: Kompensimi orëve të humbura

Viti i ri shkollor në Kosovë fillojë sot pas pesë javësh grevë në institucionet publike arsimore. Megjithatë, nxënësit kanë humbur orë të shumta gjatë muajit shtator dhe nuk dihet nëse ato do të kompensohen apo jo. Lidhur me këtë çështje Ministria e Arsimit ka thënë se duhet, ndërsa SBASHK’u ka insistuar se nuk ka obligim ligjor për këtë, transmeton Gazeta Metro.


Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë një nxënës i klasës së 12’të në Shkollën e Mesme të Lartë të Mjekësisë ‘Dr. Xheladin Deda’ në Mitrovicë ka thënë se orët duhet të kompensohen.

“Orët duhet të kompensohen. Edhe nëse unë angazhohem më tepër në shtëpi, efekti nuk do të jetë njësoj si në shkollë”, thotë L.V.

Më tutje ai ka shtuar se shqetësim të njëjtë kanë edhe shokët e shoqet e tij.

Ndërsa, Nehat Mustafa nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit në Kosovë thotë se mos kompensimi i orëve të humbura do të ketë efekt negativ në testin e maturës.

“Mësimi për maturantët përfundon më 16 maj. Viti shkollor për ta ka vetëm 160 ditë mësim. Deri më tani janë humbur 22 ditë. Kjo do të ketë efekt negativ në testin e maturës”, tha Mustafa.

Në një deklaratë të Ministrisë së Arsimit për Radio Evropa e Lirë thuhet se 22 ditët e humbura të mësimit duhet të kompensohen.

“Ne do ta ndryshojmë kalendarin e vitit shkollor, të cilin duhet ta respektojnë të gjithë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Arsimit dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, situata me grevën njëmujore e ka vështirësuar edhe më shumë procesin mësimor në Kosovë, edhe ashtu të rënduar nga pandemia e koronavirusit.

Kalendari i vitit shkollor 2022/2023 përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor, pushimin dimëror, pushimin pranveror dhe festat publike për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar.

Nga Ministria e Arsimit, tash për tash, nuk japin ndonjë informacion se si mëtojnë ta ndryshojnë këtë kalendar.

Nga SBASHK’u, e cila ka organizuar grevën, thonë se zëvendësimi i orëve të humbura nuk është obligim ligjor.

“Ne nuk jemi kundër kompensimit [të orëve], por bazuar në Kontratën [Kolektive], Ministria e Arsimit nuk ka të drejtë të urdhërojë kompensim të orëve, pa diskutuar me përfaqësues dhe anëtarësi të SBASHK-ut. Shpresoj që kjo të bëhet”, thotë kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj.

Nga Këshilli i Prindërve të Kosovës thonë se orët duhet të kompensohen, por jo në fundjavë.

“Vendimet që bien ndesh me jetën e përditshme të fëmijëve dhe prindërve nuk duhet të jenë opsion”, thotë kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi.

Ai shton se ky këshill do të pajtohej me secilin opsion tjetër të Ministrisë së Arsimit, por nuk specifikon se cilat mund të jenë këto opsione.

Kujtojmë se në dy teste të PISA’s program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, Kosova ka dalë gati në fund të listës. Ndërkaq, rezultatet e saj për këtë vit nuk janë publikuar ende. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë