U diskutua shumë nëse lideri i AAK’së ishte vërtetë i ftuar apo jo, në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan Donald Trump.
Ramush Haradinaj duke folur për gazetametro.net, ka thënë se edhe vet ka qenë i befasuar me ftesën që i është bërë, por tani ai ka filluar procedurat e vizës.
Përveç pjesmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan Donald Trump, ai thotë se është i ftuar edhe në ceremoninë tradicionale Lutjet e Mëngjesit.
“Njëri prej atyre që më ka ftuar është anëtarë në PIK, organizatë kjo që ka mbështetur zgjedhjen e Trump për president. Ata janë nikoqir dhe janë pikërisht ata që organizojnë ngjarjen e inaugurimit. Për mu është pak befasi, se e kam takuar vetëm njëherë dhe është shumë respekt”, ka thënë Haradinaj.
Ai thotë t’i jetë dukur i paarsyeshëm reagimi pas publikimit të ftesës, pasi sipas tij me këtë nuk është prishur protokolli i shtetit.
“Është ftesë personale. Pra me këtë nuk është prishur protokolli i shtetit se nuk është ftuar zyrtarisht Kosova. Kjo është marrëdhënie tjetër. Nuk është shtet me shtet. Iu ka dedikuar dikujt për të cilin kanë simpati. Edhe ata kanë shpreh interesimin. Ftesa është serioze”, ka shpjeguar Haradinaj.
“Më 20 janar është ngjarja kryesore dhe është ngjarja tjetër Lutjet e Mëngjesit, ku presidenti mban fjalë. Jam i ftuar nga dy senatorë njëri republikan dhe tjetri demokrat. Se ashtu është tradita. Tash po shoh edhe procedurat e vizës dhe besoj me mbërri me shku. Do të kisha qejf”. /gazetametro.net