Loading…

Petkovic mundohet ta sulmojë Kurtin pasi ky s’u ftua nga SHBA në takim për Asociacionin

  • 28/01/2023 | 11:01

Petkovic mundohet ta sulmojë Kurtin pasi ky s’u ftua nga SHBA në takim për Asociacionin

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, më 27 janar, ka thënë se mungesa e ftesës për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në takimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe “është mesazhi më i qartë që askush nuk i kupton ata që shkelin dhe shkatërrojnë marrëveshjet”.


Petkovici ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) ka thënë se është ftuar në takimin ku do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Takimin e organizon Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, më 31 janar.

“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës theksoi se takimi është rezultat i insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe se ka pritur që Escobar “ deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”.

“Në urrejtjen e tij patologjike për çdo marrëveshje dhe pajtim të arritur me Beogradin, Albin Kurti nisi të lajë hesapet edhe me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, për shkak të këmbënguljes së tij për formimin e Asociacionit të komunave serbe”, theksoi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ai gjithashtu tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është “obligim i Prishtinës që është dashur të përmbushet shumë kohë më parë” dhe se u takon autoriteteve në Prishtinë që “së pari të përmbushin pjesën e tyre të obligimeve, për të cilat serbët kanë pritur shumë gjatë”.

Petkoviq shtoi se Kurti është i detyruar me marrëveshjen e Brukselit që të formojë Asociacionin dhe se ai nuk mund ta përdorë marrëveshjen “sipas gjykimit të tij, sepse nënshkrimet dhe obligimet në marrëveshje i obligojnë të gjithë”.

Në intervistën për REL-in, Kurti ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është njëetnik dhe se atë “nuk e duron Kushtetutshmëria e Kosovës”, si dhe se është kundër formimit të tij.

Çështja e Asociacionit u aktualizua me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkaq aktivitetet diplomatike të vendeve perëndimore u intensifikuan në Beograd dhe Prishtinë.

Siç është thënë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është pjesë e atij propozimi, por formimi i tij kërkohet në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.

Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve,me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që nga viti 2011. Prishtina këmbëngul në njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi – por nuk e saktëson se çfarë mund të jetë ai kompromis.

Qëndrimi zyrtar i autoriteteve në Serbi është se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë