Vedat Muriqi po kalon ndoshta momentet më të mira në karrierë këtë sezon me Mallorca. Shkaku i kësaj atij së fundmi i është rritur vlera në tregun e transferimeve, transmeton Gazeta Metro.
Në përditësimin e fundit të ‘transfermarkt.com’ tani vlera e sulmuesit kosovar është 15 milionë euro, teksa më herët ishte vlerësuar dhjetë milionë euro.
Kartoni i Muriqit ka shënuar rritje gjatë gjithë kohës që nga kalimi i tij te ‘Ishullorët’ në janar të 2022. Ai para se të kalonte në La Liga vlerësohej gjashtë milionë euro.
‘Pirati’ me dhjetë gola në 23 paraqitje në kampionatin spanjoll renditet në mesin e golashënuesve më të spikatur.
Prizrenasi njëkohësisht vlerësohet edhe si lojtari më i rëndësishëm i Mallorcas, pasi që ndihmon shumë edhe në fazën defensive.
Për të është raportuar se kanë shprehur interesim disa skuadra spanjolle, megjithatë ai e ka shprehur dëshirën e tij që të qëndrojë gjatë në Mallorca. /gazetametro.net