Pishina e Gërmisë është mbyllur përkohësisht me kërkesë të Inspektoratit Sanitar, deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përcjell Gazeta Metro.
NPL “Sport Marketing” Sh.A. ka bërë të ditur se cilësia e ujit monitorohet rregullisht dhe se matjet e parametrave kryhen në përputhje me standardet dhe procedurat e mirëmbajtjes. Sipas ndërmarrjes, gjendja e përgjithshme e Pishinës së Gërmisë mbetet e mirë, si për cilësinë e ujit ashtu edhe për ambientet.
Megjithatë, në përputhje me procedurat e IKSHPK-së për pishinat publike dhe në funksion të transparencës ndaj qytetarëve, ndërmarrja ka njoftuar se do të presë rezultatet zyrtare të analizave para se të rifillojë aktivitetin.
Nga NPL “Sport Marketing” Sh.A. është theksuar se do të respektohen të gjitha vendimet e institucioneve përgjegjëse, duke vënë në plan të parë sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Pas përfundimit të analizave dhe pranimit të rezultateve zyrtare, qytetarët do të njoftohen me kohë për rihapjen e Pishinës së Gërmisë./gazetametro.net