Pas lajmit për ndërprerjen e grevës në arsim, gardiani dhe mbrojtësi deri në vetëmohim i arsimit, Rron Gjinovci, nuk e la pa ia dhënë një rend. Prej struktura të shtetit të kapur e deri te krahasimi me Milosevicin, TV personaliteti Gjinovci s’la gjë pa u thënë sindikalistëve, shkruan Gazeta Metro.
Fillimisht Gjinovci shprehej i ekzaltuar me, siç e quajti ai, dështimin e strukturave të shtetit të kapur për ta sfiduar demokracinë e qeverinë legjitime.
“Dështun strukturat e shtetit të kapun me sfidu demokracinë, qeverinë legjitime dhe rendin tonë shoqnor”, shkroi ai në Facebook.
Nuk u ndal me kaq. Ai pati akuza të rënda për SBAShK’un, duke e quajtur ‘strukturë parapolitike’.
“E ashtuqujtuna “grevë” që në fakt ishte sabotim i shtetit nga e ashtuqujtuna “sindikatë” që në fakt është strukturë parapolitike, dështoi”, tha Gjinovci.
Më tej, ai në mënyrë të çuditshme bëri një ndërlidhje me regjimin e Kasapit të Ballkanit, duke thënë mes rreshtash se edhe ai sikur sindikalistët, dëshironte ta shkatërronte arsimin.
“Ironikisht në ditën kur e përkujtojmë fillimin e rënies së Millosheviqit në Kosovë, i cili po ashtu mundohej ta shkatërronte arsimin në Kosovë.”
Në fund e pati kërkesën e tij të kahmotshme për vetting në arsim e për përjashtim masiv të mësimdhënësve, që sot qenkan struktura të shtetit të kapur, e të cilat njëjtë sikur Slobodan Milosevici dikur, po e shkatërrojnë arsimin në Kosovë./gazetametro.net