Loading…

Pjesët kyçe të deklaratës politke për tri opsione (1991)

  • Nga

  • MUHAMET HAMITI

  • 03/02/2022 | 19:31

Pjesët kyçe të deklaratës politke për tri opsione (1991)

Tri opsionet që Ibrahim Rugova po del se i ka diskutuar me diplomatë perëndimorë (nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Norvegjia) në dhjetor të vitit 1991, simbas gazetarit të gazetës gjermane “Frankufter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, janë tri opsionet e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, kryetar i të cilit ka qenë ai, shpallur më 11 tetor 1991 në Prishtinë (shih më poshtë).


Shkruan Muhamet Hamiti

Mirëpo, leximi i kujdesshëm i kësaj Deklarate politike e bën të qartë se Republika e pavarur dhe sovrane, në kufijtë e atëhershëm dhe aktualë të Kosovës, ka qenë opsioni i parë, i cili është realizuar. Janë të pasakta interpretimet, pas 30 vjetësh, për gjoja moskundërshtimin e ‘ndarjes së veriut’ të Kosovës prej tij. Presidenti Ibrahim Rugova ka kundërshtuar përherë dhë fuqishëm ndarjen e Kosovës, që ka qenë qëllim i Serbisë, gjatë gjithë kohës kur ka qenë President i Kosovës, i zgjedhur katër herë, dy herë me votë të drejtpërdrejtë, dy herë nga Kuvendi i Kosovës.

***
Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 Korrik 1990 shpallën Deklaratën për Pavarësi dhe më 7 Shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.
Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:

1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 Shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush.
Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi
Dr.Ibrahim Rugova, kryetar
1. Lidhja Demokratike e Kosovës
2. Partia e Prosperitetit Demokratik
3. Lidhja Demokratike në Mal të Zi
4. Partia për Veprim Demokratik
5. Partia Fshatare e Kosovës
6. Partia Shqiptare Demokristiane
7. Partia Parlamentare e Kosovës
8. Partia Socialdemokratike e Kosovës
9. Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar
10. Partia Popullore Shqiptare
11. Partia Demokratike Shqiptare

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë