Mbrojtësi i Prishtinës, Bujar Pllana në një prononcim për Gazeta Metro pa asnjë dyshim e ka cilësuar ndeshjen më të rëndësishme të sezonit sfidën ndaj Llapit, transmeton Gazeta Metro.
Skuadra e Prishtinës rrezikon shumë që në 100-vjetorin e themelimit të saj si klub të përfundoj në barazh, dhe sfida kundër Llapit do të jetë jetike për kryeqytetasit.
Mbrojtësi i talentuar, Bujar Pllana për Metron ka thënë se do të japin gjithçka nga vetja që në fund t’i arkëtojnë tre pikët.
“Po ndeshja me Llapin për neve është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, do te jetë ndeshje e vështirë por do të japim gjithçka nga vetja që të marrim 3 pikë,” tha ai.
Largimi i Abdulah Ibrakovic duket se nuk ka lënë ndonjë shenjë tek Prishtina, pasi që Pllana thotë se edhe pa Ibrakovicin janë përgatitur maksimalisht për këtë duel.
”Jemi përgatitur shumë mirë dhe jemi 100% të gatshëm dhe do t’i zbatojmë urdhrat e trajneri Debatik Curri,” deklaroi ai për Metron.
Problemet te bardhë e kaltrit tashmë janë vetëm të ditura. I pyetur se çfarë janë duke menduar futbollistët për të ardhmen e tyre, ish-mbrojtësi Feronikelit refuzoj të jap detaje.
”Për momentin jemi të fokusuar vetëm te ndeshja me Llapin pastaj e shohim se çfarë do të ndodh,” theksoi 20-vjeçari.
Ai nuk deshi të flas as për të ardhmen individuale, ku duket se në kampin bardhë e kaltër lojtarët janë të përqendruar maksimalisht për takimin në Podujevë.
”Për momentin jam duke menduar vetëm për këtë ndeshje që Prishtina të mbetet në ligë dhe pastaj do shohim çfarë do të ndodh,” përfundoi Pllana për Metron.
Prishtina me humbjen ndaj Dritës javën e kaluar rrezikon shumë tani të përfundoj në barazh sepse është në pozitën e gjashtë me 48 pikë, një më shumë se Malisheva e cila është në zonën e kuqe. /gazetametro.net