Rreth 671 zyrtarë policorë të Kosovës, janë duke u hetuar nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës. Në këtë numër sipas kryeshefit ekzekutiv të IPK’së, ka edhe zyrtarë më pozita të larta në Policinë e Kosovës të cilët janë duke u hetuar.
Kryeshefi i këtij Inspektorati vuri në pah se falë angazhimit dhe besimit në këtë institucion, ka pasur 9.2 për qind ankesa më shumë se në vitin 2015. Ndërsa, sa i përket arrestimeve të zyrtarëve policorë, në vitin 2016 janë arrestuar 69 policë, kurse në vitin paraprak ishin arrestuar 23 sosh.
Sipas Mehmetit, numri i rasteve të hetimeve për zyrtarë policorë është 671, ndër to edhe policë me pozita të larta, por edhe zyrtarë të tjerë që nuk bëhen publike për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar për shkelje të ligjit në pozitën zyrtare, transmeton Gazeta Express.
Mehmeti ndër të tjera tha se kanë marrë masa preventive ndaj atyre rajoneve ku ka pasur arrestime të policëve zyrtarë, duke ndërruar komandantët dhe eprorët. Kryetari i këtij Komisioni Daut Haradinaj ka kërkuar nga kryeshefi Mehmeti që të mos bien në ndikim politik në hetimet e tyre inspektuese.
Haradinaj tha se numri i madh i policëve të arrestuar dhe të suspenduar është shqetësues.
Me insistimin e deputetit Rexhep Selimi se a do të kthehet sërish në polici, Hilmi Mehmeti tha se pas mandatit si kryeshef i Inspektoratit nuk do të kthehet më në polici të Kosovës.