Për shkak të përkeqësimit të motit, të reshurave të shumta si dhe rrezikut nga paraqitja e ngricave në ditët në vijim, Policia e Kosovës thotë se do të ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor, si në aspektin parandalues po ashtu edhe në atë veprues.
“Ne kemi zhvilluar në vazhdimësi një numër të madh të aktiviteteve në funksion të sensibilizimit të qytetarëve dhe vetëdijesimit të tyre lidhur me parandalimin e aksidenteve rrugore, duke filluar nga fushatat vetëdijesuese përmes spoteve të ndryshme televizive, broshurave, komunikatave, apeleve dhe informacioneve për publikun, me të vetmin qellim, parandalimit të aksidenteve dhe ngritjes së sigurisë në trafik”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës ndaj pjesëmarrësve në komunikacion, shkruan gazetametro.net
“Policia gjithashtu, në mënyrë konsistente ka zhvilluar dhe implementuar plane operative policore konkrete, si dhe ka ndërmarr masat e nevojshme ligjore, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave aty ku pjesëmarrësit në komunikacion kanë rënë ndesh me ligjin mbi sigurinë e komunikacionit rrugor”, thuhet më tej në apel te Policisë së Kosovës./gazetametro.net