Policia e Kosovës do ta ketë në dispozicionin e saj një veturë luksoze BMW X6 të konfiskuar nga kriminelët.
Policia për këtë veturë nuk do të paguajë asnjë cent, pasi Ministria e Drejtësisë ka paguar rreth 1 mijë euro për servisimin e saj.
KALLXO.com mëson se vetura është konfiskuar me vendim të Gjykatës për përfshirje në vepër penale. Ajo është nën mbikëqyrjen e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Rrahim Rama, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar e ka pranuar se një nga veturat e konfiskuara i është dorëzuar Policisë së Kosovës.
“Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, në përputhshmëri me dispozitat ligjore në fuqi, veturën në fjalë e ka dorëzuar për shfrytëzim te Policia e Kosovës”, ka thënë Rama, në një përgjigje më shkrim.