Pas trazirave që ndodhën mbrëmë në Tiranë, ku pati përplasje mes tifozëve të Romës dhe Feyenoord policia e Shqipërisë ka dalë me një komunikatë për media lidhur me cenimet e rendit dhe të sigurisë në Tiranë, transmeton Gazeta Metro.
Në njoftimin e tyre thuhet se si pasojë e dhunës së ushtrua nga tifozët e të dy skuadrave finaliste të Conference League, janë plagosur 19 punonjës të Policisë që ishin në krye të detyrës, ndërsa njëri prej tyre është plagosur me armë të ftohtë (thikë).
Nga 60 tifozë të shoqëruar në ambientet e Policisë, ku 48 janë shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë, atyre ju janë sekuestruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike etj për të cilët janë duke u kryer veprimet procedurale penale dhe hetimi do të vazhdojë edhe më tutje.
Gjithashtu, sot në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit.
Kujtojmë se me fillim nga ora 21:00 në ‘Air Albania’ sonte do të takohen Roma dhe Feyenoord në finalen e parë të kompeticionit më të ri në Europë. /gazetametro.net