Është publikuar raporti i punës për vitin 2016 i Stacionit Jugor të Policisë në Mitrovicë. Aty morën pjesë edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri e nënkryetari Faruk Mujka. Po ashtu, prezent në prezantim ishin edhe Musa Dragaj, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Nehat Thaçi, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se është tejet i lumtur që po merr pjesë në një takim ku të dhënat e paraqitura tregojnë për një efikasitet dhe punë jashtëzakonisht të mirë të Stacionit Jugor të Policisë në Mitrovicë. Ai shtoi se vlen të theksohet suksesi në zbulueshmërinë e veprave të përgjithshme kriminale dhe të atyre penale.
Ndërkaq, komandanti i këtij stacioni, kapiteni Ahmet Gjosha, tha se stacioni që ai e drejton mbulon zonën e përgjegjësisë me një sipërfaqe prej 331 kilometra katrorë dhe me një numër të përafërt prej 73.000 banorëve, që jetojnë në gjithsejtë 44 vendbanime.
Agron Bekteshi, rreshter në Policinë e Kosovës, duke folur për detajet e raportit, tha se numri i përgjithshëm i rasteve kriminale në vitin 2016, ka shënuar rënie për 11 për qind në krahasim me vitin paraprak, ndërsa që ai i veprave penale ka shënuar rënie prej 14.5 për qind.
“Ajo që duhet për tu theksuar në veçanti dhe është një sukses shumë i mirë, është fakti se zbulueshmëria e veprave të përgjithshme kriminale në vitin 2016 është ngritur në 70 për qind, kurse tek veprat penale 59 për qind”, ka thënë Bekteshi.
Ndërkaq, drejtori i Policisë Nehat Thaçi, ka thënë se nga të dhënat e publikuara shihet se objektivat e policisë janë arritur në vitin 2016 deh kjo është për tu vlerësuar.
“Puna jonë shihet vetëm nga rezultatet konkrete, të cilat në vitin 2016 janë evidente dhe inkurajuese. Zbulueshmëria e aktiviteteve kriminale prej 70 për qind nuk është arritur në asnjë komunë tjetër dhe kjo flet qartë për punën e mirë që policët kanë bërë”, ka thënë Thaçi./gazetametro.net