Policia e Kosovës ka iniciuar kallëzim penal për lajmërim të rrjshëm ndaj ish gazetarit të Koha Ditore, Musa Mustafa nga Mitrovica, i cili dy ditë më parë raportoi në polici se ishte kërcënuar me jëtë përmes një mesazhi në gjuhën serbe.
Në një njoftim të policisë rajonale të Mitrovicës thuhet se dy ditë më parë ishte raportuar një rast me elemente të dyshuara të veprës penale ‘kanosje’, ku viktimë e kësaj kanosje ishte një gazetar i cili ka deklaruar se kishte pranuar një sms me përmbajtje kërcënuese të shkruar në gjuhën serbe.
Por hetimet policore kanë rezultuar se rasti i raportuar si kanosje ndaj gazetarit nuk ka elemente të kanosjes.
“Hetuesit policorë mbi provat tjera të siguruara kanë ngritur dyshime të arsyeshme të bazuara për vepër tjetër penale ndaj ankuesit në fjalë, ndaj të cilit është iniciuar kallëzim penal për vepër penale ‘lajmërim apo kallëzim i rremë’”.
Gazetari mitrovicas Musa Mustafa kishte raportuar se ishte kërcënuar me jetë, përmes një sms-i të dërguar në gjuhën serbe nga një numër i operatorit IPKO-s.
Mustafa, tani drejtues i portalit ‘Infojeta.net’, e ka paraqitur rastin në polici, pasi sipas tij, atij përmes sms-it i është kërcënuar edhe familja.
“Sot në mbrëmje kam marrë një kërcënim përmes një sms-i në telefon, se do të vritem dhe se do të ma zhdukin edhe familjen. Në këtë kërcënim më tutje thuhet se do të më zhdukin edhe ‘farën’ shqiptare, nëse shkruaj më kundër serbëve”.
“Mendoj se kërcënimi ka të bëjë me një seri shkrimesh që i kam bërë, e që kanë të bëjnë me funksionimin e strukturave paralele të Policisë së Serbisë në veriun e Kosovës, funksionimin e grupeve te strukturave ruse si ushtria kozake, grupeve çetnike, si dhe shkrimeve që tregojnë se si funksionon krimi i organizuar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviqit, Millan Radonjqiqit e Zoran Millojeviqit, i njohur me nofkën ‘Zela’”, kishte shkruar Mustafa në Facebook.
Musa Mustafa ka punuar rreth 18 vite në Koha Ditore si korrespodent nga Mitrovica, ndërsa tani drejton portalin ‘Infojeta’. /gazetametro.net