Në pikën kufitare në Merdare, xhandarmëria serbe ka ndaluar një deputet të Kosovës.
Bëhet fjalë për deputetin Sllobodan Petrovic, i cili ishte duke udhëtuar për në Serbi për një vizitë familjare, shkruan gazetametro.net
Ai u ndal në pikën kufitare në Merdare dhe u intervistua nga xhandarmëria serbe.
Petrovic u lirua pas katër orë mbajtjeje dhe maltretimi nga organet e Serbisë. Në lidhje me këtë ka reaguar qeveria e Kosovës, e cila nëpërmjet një komunikate tha se me shqetësim ka pranuar lajmin për ndalimin e deputetit Petrovic.
Qeveria e quan të patolerueshëm rastin e sotëm dhe kërkon që këto praktika të ndërpriten menjëherë nga ana e Serbisë.
Reagimi i qeverisë:
Deklaratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës Qeveria e Republikës së Kosovës me shqetësim ka pranaur sot informatën se në vendkalimin kufitar në Merdare, është ndaluar deputeti i Republikës së Kosovës, z. Slobodan Petroviq, nga policia serbe, pa asnjë arsye dhe se i njëjti është mbajtur për orë të tëra në këtë vendkalim.
Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Republikës së Kosovës, posaçërisht ata të komunitetit serb, që punojnë nëpër institucionet e Kosovës e që janë subjekt i hetimeve, keqtrajtimeve dhe fyrjeve nga autoritetet serbe.
Qeveria e Republikës së Kosovës e quan të pa tolerueshëm rastin e sotëm dhe kërkon që këto praktika nga ana e Serbisë të ndërpiten sa më shpejt dhe që në të ardhmen asnjë qytetarë i Kosovës, nga asnjë përkatësi etnike të mos ketë problem të tilla. Serbia duhet ta kuptojë njëherë e mirë se situatat e tilla nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë. /gazetametro.net