Loading…

Politika e jashtme e Kosovës, letra e parlamentarëve evropianë dhe amerikanë

  • Nga

  • MUHAMET HAMITI

  • 10/08/2023 | 17:12

Politika e jashtme e Kosovës, letra e parlamentarëve evropianë dhe amerikanë

Qeveria e Kosovës i ka dëmtuar raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, në radhë të parë me SHBA-të dhe BE-në. I ka dëmtuar kryeministri Kurti me dy zëvendëskryeministrat e vet, Bislimin dhe Gërvalla-Schwarzin. Nuk është se ka bërë farë pune për të mos u dëmtuar këto raporte as Presidentja Osmani, mbasi në punë shihet e rreshtuar me Qeverinë Kurti.


Shkruan: Muhamet Hamiti

Kosova nuk ka sot politikë të jashtme. Drejtuesit e saj kanë sjellje të papërgjegjshme në politikë të jashtme. Shpeshëherë nga padija.

Mund të jenë të padijshëm, por jo aq ta padijshëm sa ta kuptojnë se Kosova demokratike, e pavarur, sovrane, e integruar në BE dhe në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-të, është orientimi ynë strategjik. E ka përvijuar Presidenti Rugova dhe e ka përqafuar populli i Kosovës.

Kosova është nën sanksione të BE-së, që Qeveria s’donte t’i quante kështu kur u vunë, por po i quan me emrin përkatës kur po kërkon heqjen e tyre. Heqja e tyre eventuale do të mund të ishte ‘suksesi’ i vetëm kësaj Qeverie pas vargut të dështimeve që po rritet, që e kanë dëmtuar në thelb Kosovën, por edhe reputacionin e saj ndërkombëtar.

Albin Kurti e quajti së voni Sekretarin Amerikan të Shtetit Blinken ‘naiv’. Ministresha e Jashtme, madje edhe zv. kryeministreshë, Donika Gërvalla-Schwarz, e quajti ‘tigër prej letre’ BE-në, në takim ndërkombëtar, me përfaqësues të BE-së përballë. Ja që ne me këta, me SHBA-të dhe me BE-në, kemi punë, sepse duam integrime euro-atlantike; themi se kemi vlera të përbashkëta me ta.

Kjo Qeveri, ky pushtet, kryeministri Kurti, presidentja Osmani, të gjithë, i falënderuan autorët dhe nënshkruesit e një letre të 56 parlamentarëve nga Evropa dhe Amerika, duke përfshirë një dyzinë kryetarësh të komisioneve parlamentare për politikë të jashtme, e cila u kërkon qeverive të veta të kenë qëndrim më të balancuar kundrejt Kosovës dhe Serbisë rreth zhvillimeve aktuale në veri dhe procesit të dialogut.

Theksi kryesor i letrës, që u botua edhe në disa media perëndimore, është: “The current approach is not working. We would ask that the international community learns from our past and ensure we do not adopt a Belgrade-centred policy for the Balkans”. Në shqip: “Qasja aktuale nuk po funksionon. Kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare të marrë mësime prej të kaluarës dhe të sigurojë që të mos miratojmë një politikë për Ballkanin të përqendruar te Beogradi”. Kërkesë me vend, sigurisht.

Letra kaq mund të bëjë. Parlamentarët kaq mund të bëjnë. Dhe duhet t’ua dijmë për nder.

As letra, as parlamentarët nuk mund ta bëjnë punën e Qeverisë së Kosovës. Kjo Qeveri, ky pushtet, duhet të marrë mësime, të ndërrojë qasje. Për ta bërë këtë duhet ta dijnë se kanë bërë keq deri tani.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga vendet e nënshkruesve, me përjashtim të parlamentarit nga Ukraina. Kosova ka marrëdhënie diplomatike me këto vende.

Presidentja, kryeministri, ministrat e tij me përgjegjësi në punët e jashtme dhe dialogun, duhet të dijnë të punojnë më mirë me qeveritë e këtyre vendeve për t’i bindur për politikat më të mira për Kosovën. Duket se kanë dështuar deri tani. Prandaj, jemi si jemi; i kemi punët si i kemi. Keq.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë