Loading…

Politika e relativizmit të fajit

  • Nga

  • AFRIM KASOLLI

  • 17/07/2020 | 12:19

Politika e relativizmit të fajit

Ekziston sot një konstatim i përgjithshëm në opinionin publik se Kosova ndodhet në njërin nga momentet më delikate, më të pasigurta dhe më të rrezikshme, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, e ndoshta edhe që nga koha e çlirimit në qershorin e vitit 1999. Kërcënimet ndaj stabilitetit politik, social, ekonomik dhe institucional, e të cilat janë grumbulluar ndër vite, vazhdojnë të mbesin të shumëfishta. Disa prej tyre janë produkt i rrethanave vendore. I shtytjes tashmë të njohur të politikës kosovare, e cila, e nxitur nga konkurrenca për pushtet, më shumë ka pasur prirje t’i komplikojë problemet dhe agravojë tensionet, se sa ka kërkuar zgjidhje racionale për disa nga sfidat kolektive me të cilat jemi ballafaquar këto vitet e fundit.

Shkruan: Afrim Kasolli

Mjerisht, këto veprime me pasoja fatale janë përkeqësuar dhe radikalizuar veçanërisht që nga viti 2014 e këndej, duke ndikuar në davaritjen e çdo gjurme të konsensusit politik dhe social, tipar ky që megjithatë e kishte karakterizuar këtë politikë deri në atë kohë, për tema madhore. Madje, lirisht mund të thuhet se këto sjellje prej 2014 e këndej, shpeshherë e kanë sjellë shoqërinë dhe shtetin deri buzë greminës. Janë të njohura për opinionin shumica e këtyre temave, si ajo e demarkacionit me Malin e Zi, negociatat me Serbinë etj. Pra, për të sajuar trysninë politike dhe publike, ka mjaftuar gjetja e një tharmi dhe me automatizëm situata është përshkallëzuar. Të gjithëve na kujtohen ato përplasjet dhe konfrontimet fatale me skenat shoqëruese të gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, imazhe këto që të krijonin përshtypjen se institucioni më i lartë përfaqësues në vend ishte transformuar nga një hapësirë për diskutime politike në ambient të luftës guerile urbane.

E të mos flasim këtu për krizat ciklike ekonomike dhe krizën më të fundit të shkaktuar nga shpërthimi virulent i pandemisë globale të virusit korona. Ballafaqimi me pasojat e shumëfishta ekonomike, sociale e shëndetësore të kësaj sëmundjeje po tregohet një sfidë e pakapërcyeshme madje edhe për shtetet me stad dhe resurse enorme të zhvillimit. Sikur të mos mjaftonin këto vështirësi, Kosova tashmë ndodhet edhe përballë një sfide shumë më madhore, ku janë vënë në sprovë historia, e tashmja dhe ardhmja e shtetit tonë. Pra, Kosovës i duhet ta argumentojë edhe një herë themelin e shtetit të vet, ta dëshmojë pastërtinë e luftës çlirimtare, përballë akuzave të fabrikuara të Beogradit ndaj protagonistëve kryesorë të kësaj lufte.

Zvarritja e një Procesi

Që nga koha kur Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli ne Hagë i bëri publike aktakuzat e paverifikuara ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, janë ngritur shumë hipoteza, dilema dhe dyshime në opinionin publik se pse ky veprim ndodhi pikërisht tani. Përpos argumenteve nga ekspertë të shumtë juridikë se mënyra se si ishin publikuar këto aktakuza shënonte një skandal juridik të llojit të vet, i cili ishte i stërngarkuar me spekulime aspak juridike, nuk mund të mohohen edhe pasojat serioze politike që ky veprim pozon për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Për më tepër, ky akt lirisht mund të thuhet se provokon një krizë të pashoqe në shoqërinë dhe politikën kosovare.

Siç dihet, Kosova dhe Serbia ishin në një proces të gjatë negociator, të lehtësuar nga Brukseli, përkatësisht përfaqësuesja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, fillimisht baronesha Ashton dhe më pastaj Federica Mogherini. Këto negociata kishin filluar në vitin 2011, pas miratimit të rezolutës nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Qëllimi primar i këtyre bisedave ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara dhe menaxhuara nga Brukseli, ishte që pas një procesi gradual negociator, hap pas hapi, të arrihej në një marrëveshje apo traktat ndërmjet dy vendeve, ku në fund do të arrihej normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Këtë proces e kishin mbështetur pa rezervë edhe SHBA-të. Sepse edhe ato nuk shihnin ndonjë alternativë tjetër për ta debllokuar konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

Mirëpo, me kalimin e kohës gjërat morën një rrjedhë negative. Përpos mungesës së konsensusit të brendshëm që e paralizoi palën kosovare të tregohet unike dhe efikase në këtë proces, po ashtu edhe vet BE-ja u kaplua nga një sërë krizash të brendshme dhe mungesa e unitetit në raport me këtë proces. Kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme, rritja e lëvizjeve populiste, mobilizimi i rrymave dhe grupeve shoqërore me agjendë euro-skeptike, si dhe në fund vet Brexiti, e tronditën në themel politikën tradicionale të Brukselit. Veçanërisht ky i fundit e çmontoi “mitin” optimist të zgjerimit, që e kishte karakterizuar deri në atë moment BE-në. Që nga fillimi ky entitet kishte njohur vetëm politikën e integrimit. Por, pas rezultateve traumatike të referendumit të mbajtur në Britaninë e Madhe, lidhur me të ardhmen e vendit ishullor, tani po bëhej gjithnjë e më reale mundësia e dezintegrimit dhe ndarjes.

Për herë të parë institucionet qendrore në Bruksel ishin përfshirë në një proces negociator, jo më duke imponuar kritere për vendet që ishin aspirante për integrim, por në një proces që kishte për qëllim divorcin dhe daljen nga unioni të njërit prej vendeve më të fuqishme të tij. Por, dalja e Britanisë nga BE-ja ishte me pasoja fatale edhe për Kosovën, sepse kështu vendi ynë kishte humbur njërin nga shtetet më aleate në kuadër të kësaj strukture trans-nacionale.

Këto kriza e detyruan BE-në që më shumë të kthehej nga vetvetja, duke e lënë kështu si të ardhmen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe procesin me të rëndësishëm që e kishte pasur nën kontroll për një kohë të gjatë, atë të negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, më shumë në dorë të fatit.

Madje kohën e fundit, Brukseli nuk e kishte të qartë qëllimin e këtij dialogu, si dhe kur duhej të përfundonte ai. Pra, më shumë ai ishte shndërruar në një rutinë dialoguese. Shto këtu edhe natyrën e komplikuar vendimmarrëse të BE-së, që e kishte paralizuar aftësinë e saj të tregohej më efikase si dhe më e vendosur si aktor serioz global.

Këto dobësi strukturore, përpos që kishin shkaktuar një vakum gjeopolitik në rajonin tonë, po ashtu e kishin goditur veçanërisht në masë të madhe Kosovën. E kishin tradhtuar agjendën e saj integruese, sepse Kosova përpos MSA-së nuk kishte arritur të kishte ndonjë përfitim tjetër nga ky proces. Kosova vazhdon edhe sot e kësaj ditë të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë, pa të drejtë të lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Summa summrum, BE-ja nuk kishte arritur të ndërtonte një qëndrim unik edhe ndaj pavarësisë së Kosovës, që nga shpallja e saj në vitin 2008. Pra, edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konkluduar se ky akt nuk binte në kundërshtim më të drejtën ndërkombëtare. Kështu, BE-ja si tërësi në vend të pajtimit me këtë gjykim juridik, kishte rënë pre e argumenteve serbe dhe ruse, shtete këto që nën emrin e sovranitet shtetëror në vazhdimësi i përçmojnë normat juridike universale. Prandaj, me këtë qasje Brukseli e ka cenuar edhe karakterin imperativ të së drejtës ndërkombëtare.

Strategjia e Kaosit

Këto dobësi kishin ndikuar që rajoni të goditej edhe më shumë nga depërtimi i agjendave destabilizuese të mishëruara nga strategjia e kaosit. Promotor i kësaj doktrine strategjike, siç dihet, mbetet Rusia e Vladimir Putinit. I vetëdijshëm për impotencën e tij për t’u shndërruar në hegjemon global, Cari i ri Rusisë, përpos që vajton katastrofën gjeopolitike që i paska ndodhur Rusisë si pasojë e kolapsit të BRSS-së si dhe tenton ta rehabilitojë figurën e Stalinit, ai të paktën sot për sot, po tenton që këtë impotencë ta kompensojë, duke përdorur strategjinë e kaosit si mundësi për të ushtruar ndikim në përmasa planetare.

Me anë të kësaj politike, Federata Ruse aspiron t’u kundërvihet përpjekjeve perëndimore për t’i stabilizuar rajonet fragjile të sigurisë dhe për t’i transformuar ato në sisteme të qëndrueshme demokratike dhe liberale.

Është e ditur botërisht se Rusia nuk mund t’i jetësojë qëllimet e saj hegjemonike në një botë ku sundon rendi liberal, siguria e përgjithshme dhe mirëqenia e qytetarëve.

Prandaj, sot Putini me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion e konteston dhe lufton supermacinë e këtij rendi, si nëpërmjet aksioneve të errëta në zonat e hirta që ndodhen ende ndërmjet luftës dhe paqes, nëpërmjet invazioneve, e deri tek manipulimi në internet i mediave sociale.

Në këtë kontekst rajoni i Ballkanit Perëndimor, për shkak të disa proceseve të papërfunduara historike dhe politike, përbën njërën nga zonat specifike të këtyre përplasjeve. Intervenimet e federatës Ruse në Mal të Zi, në Maqedoni, apo orkestrimi dhe mbështetja e Serbisë me rastin e “trenit të famshëm lara-lara” në veri të Kosovës, përbënin vetëm disa nga episodet, e kësaj strategjie destabilizuese. E si komponentë qenësore e këtyre qëllimeve shtetërore subversive të Rusisë ka qenë orkestrimi dhe amplifikimi propagandistik nëpërmjet mekanizmave diplomatikë, politikë dhe agjenturave sekrete, i akuzave konstante, fillimisht serbe, ndaj ish-udhëheqjes së UÇK-së.

Ky agresion i pashembullt mëtonte që të delegjitimonte motivet e intervenimit ndërkombëtar në vitin 1999 për të stopuar gjenocidin shtetëror serb mbi popullsinë civile shqiptare, si dhe të kontestonte arsyet morale të shtetësisë së Kosovës, që u përkrah nga bota demokratike.

Fatkeqësisht, këto pamflete propagandistike ruse u morën dhe përpunuan nga ish senatori kontrovers zviceran Dick Marty dhe u paraqitën për miratim para Këshillit të Evropës, mbi bazën e të cilit u themelua edhe Gjykata Speciale. Fakt ky që me të drejtë e përmend edhe ish-ministri i Britanisë së Madhe për Evropë, Denis MacShane, kur deklaroi se “raporti i Martyt është një vegël e Rusisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së, dhe se ky raport në Këshillin e Evropës reflekton politizimin e kësaj organizate nga Rusia që nga anëtarësimi i saj në vitin 1995”.

Deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, origjina e këtyre akuzave e ka bazën në strategjinë serbo-ruse të fajësimit të viktimës. Pra, me anë të kësaj loje morbide Serbia me ndihmën e Moskës, pretendon ta denigrojë procesin historik të shtetësisë së Kosovës, si të bazuar në një “krim fondator”.

Rrjedhimisht, dialogu i menaxhuar nga BE-ja, nuk po tregohej efikas si një digë për të ndalur këtë spirale negative. Ky proces kishte hyrë në një rrugë qorre. BE-ja si mbështetëse e këtij procesi, për shkak të argumenteve të listuara më herët nuk po dëshmohej si faktor serioz për ta përmbyllur atë. Madje ky konfuzion e karakterizon edhe sot përpjekjen e këtij entiteti për ta ringjallur dialogun ndërmjet dy vendeve.

Kjo paqartësi shihet qartë nga gjuha e të emëruarit special të Brukselit z. Mirosllav Lajcak, lidhur me rifillimin e negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Begoradit. Përpos një gjuhe të vagullt për perspektivën evropiane të dy vendeve, ai nuk ofron asgjë tjetër. Mirëpo, ishte pikërisht vendi i tij, së bashku me atë të përfaqësuesit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, që e kishin goditur këtë mundësi për Kosovën. Prandaj oferta e tij mbetet e diskredituar që në fillim.

Riaktivizimi i ShBA-ve

Sidoqoftë, për dallim nga kjo paqartësi që e karakterizonte BE-në, ndërkohë u aktivizuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë proces diplomatik, duke e bërë të qartë dhe pa ekuvioke, se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të duhej të përfundonte me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve. Ky qëllim është i shprehur qartë, si në letrat e Presidentit Trump, ato të sekretarit Mike Pompeu, si dhe në dokumentet e publikuara së voni të Senatit Amerikan, ku thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të mbështetësin dialogun Kosovë-Serbi, finalja e të cilit duhet të rezultojë me njohje reciproke si dhe duhet të ofrojnë përkrahje për Ushtrinë e Kosovës deri sa ajo të integrohet në NATO. Kështu, sipas këtyre rekomandimeve, Kosovës do t’i hapej rruga e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së saj si dhe do t’i sigurohej qëndrueshmëria afatgjatë e shtetit.

Publikimi i këtyre aktakuzave pikërisht në kohën kur ishte aranzhuar takimi i Uashingtonit në 27 qershor, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e të dërguarit special të presidentit Trump, ish-ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell, ndikoi në anulimin e këtij takimi.

Nuk ka dyshin se paralajmërimi i këtyre aktakuzave ishte një sulm edhe ndaj përpjekjeve diplomatike të Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar një zgjidhje për Kosovën, sipas parametrave dhe qëllimeve të formuluara nga institucionet kryesore të poltikëbërjes në Uashington, Presidenti, Sekretari i Shtetit dhe Senati i këtij shteti. Ky cenim bëhet më fatal për Kosovën, sidomos kur dihet se intenca kryesore e kësaj nisme diplomatike të sponsorit kryesor të shtetësisë sonë, siç e kanë deklaruar në vazhdimësi zyrtarët e këtij shteti, ishte sigurimi i njohjes reciproke.

Fajësimi i Viktimës

Sidoqoftë,akte të tilla tashmë e kanë vënë në pikëpyetje mbarëvajtjen e këtij procesi negociator, sepse e sulmojnë në themel vet shtetin e Kosovës dhe pa dyshim e rehabilitojnë Serbinë dhe të kaluarën e saj.

Me këtë rast janë cinike edhe justifikimet e apologjetëve të kësaj nisme se nuk po gjykohet UÇK-ja, por vetëm disa individë. Në fund të fundit, asnjë gjykatë juridike nuk i akuzon ideologjitë apo formacionet historike. Ajo merret vetëm me individët që e përbëjnë atë. Dhe nëse ndëshkohen protagonistët kryesorë të një formacioni në mënyrë implicite ndëshkohet edhe organizata. E kjo prirje sot nxjerr në pah një paradoks të llojit të vet. Si ndodhi që mbartësit kryesorë të këtij formacioni që ishte pozicionuar në anën e drejtë të historisë, ku edhe shumë analistë perëndimorë nuk nguruan ta quanin si organizatën më të suksesshme në histori, të akuzohen për atë periudhë? Një veprim ky i paprecedent në histori.

Ndërkombëtarisht, Kosova e fitoi të drejtën për të qenë e pavarur, pas një procesit të gjatë dhe të mundimshëm negociator që u zhvillua në Vjenë me ndërmjetësimin e emisarit të posaçëm të OKB-së, ish-Presidentit Martti Ahitisari. Në fund të kësaj ndërmarrjeje të komplikuar diplomatike, diplomati i urtë finlandez, në koherencë me njërin nga formulimet më të famshme morale të filozofit të njohur gjerman Imanuel Kant-it, sipas të cilit “gjatë një konflikti nuk guxon të ndodhë diçka që do ta bënte të pamundur pajtimin pas përfundimit të tij”, deklaroi se “duke marrë parasysh sjelljen e shtetit serb ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës në të kaluarën, atëherë çdo opsion tjetër pos pavarësisë do të ishte i pamundur”. Autoritetet serbe në Beograd e dinin plotësisht se dominimi ekstrem, abrogimi i të drejtave themelore njerëzore, shkelja sistematike e tyre si dhe në fund tentimi i organizuar shtetëror për gjenocid mbi popullsinë shqiptare qëndronin në themel të shtetit të Kosovës.

Po ashtu, qarqet politike serbe në vazhdimësi janë koshiente se kurdo që do të detyrohen ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë implicite ato do të detyrohen ta pranojnë edhe të kaluarën e tyre gjenocidiale ndaj popullsisë civile shqiptarë në Kosovë.

Duke u nisur nga ky presupozim ata kanë ndërmarrë marifete të llojllojta të paskrupullta, me qëllim që ta shmangin ballafaqimin me ditën e gjykimit final. Kjo ka bërë që shteti serb, që nga dita e parë pas çlirimit të Kosovës, kur e kishte humbur përfundimisht këtë territor, krahas sabotimeve të brendshme nëpërmjet strukturave paralele, të angazhohej maksimalisht në një agresion propagandistik ndaj viktimave të tij, me synim që ta suspendojë përgjegjësinë individuale dhe kolektive për veprimet e bëra. Me një fjalë tjetërsimi i narracionit të historisë, ka qenë intenca kryesore e tyre. Prandaj, liderët e shtetit serb edhe sot e kësaj dite e përsërisin në vazhdimësi së nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Përgjithësisht, pjesë qenësore e kësaj strategjie djallëzore konstante, padyshim se mbetet relativizmi i fajit. Me anë të kësaj loje, në mënyrë efektive tentohet që të ndërrohen rolet, që dorasi të shndërrohet në viktimë, që duke e vendosur tjetrin në bankën e të akuzuarve me automatizëm ta lirojë vetën nga pesha e mëkatit. Të bindet bota se faji është reciprok, se viktima është po aq fajtore sa edhe krimineli, madje edhe më shumë “meqë ajo e paska nxitur agresorin të veprojë ashtu si ka vepruar”.

Rrjedhimisht, fabrikimet që shërbimet sekrete serbe kanë plasuar ndaj liderishipit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjoja për krime të llahtarshme sikurse ato që lidhen me të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”, nuk janë asgjë tjetër, pos mjete në funksion të këtij qëllimi, pra të satanizimit të tjetrit.

Produkt i kësaj politike të demonizimit janë sot edhe akuzat që po sajohen ndaj strukturës politike dhe ushtarake të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bartëseve kryesorë të projektit më fisnik të shqiptarëve. Ka qenë një mrekulli e pashpjegueshme se si ky brez i sakrificës kombëtare, me një “vetëbesim të rrallë, një gatishmëri të skajshme për vetëflijim, për të argumentuar se nuk janë as aventuristë, as njerëz të papërgjegjshëm, por ajka e një kombi, elita më e vetëdijshme e kombit, që morën përsipër të mbrojnë jo vetëm hapësirën, kulturën, traditat, vlerat e një kombi, por dinjitetin, integritetin moral të individit, që ishte nëpërkëmbur në trajta të padurueshme. Dhe falë këtyre cilësive, UÇK-ja arriti që t’i respektojë standardet dhe të mos lejojë që kryengritja, lufta e shqiptarëve për liri të mos degjenerohet. Ky konstatim merr vlerë të madhe nëse krahasohet me kryengritje tjera që degjenerohen dhe zgjasin me dekada pa kurrfarë shprese për një epilog të suksesshëm”(A.Xhaferi). Lirisht mund të thuhet se kanë qenë energjitë titanike të kësaj gjenerate, që i aktivizuan potencialet tona kolektive për çlirim, e që ndikuan ta përfitojmë edhe ndihmën e Aleancës më fuqishme planetare në histori, në funksion të kauzës sonë për liri. Mbrojtja e kësaj trashëgime, e këtij thesari kombëtar, është bërë një detyrë imperative morale dhe politike më shumë se asnjë herë tjetër më parë. Sepse cenimi i saj tjetërson historinë dhe themelet e shtetit të Kosovës.

Nuk do shumë mend për ta kuptuar se ka qenë interes strategjik shtetëror i elitës politike serbe të zhytur ende në kthetrat e ideologjisë fashiste, që ta dëmtojë, zhvleftësojë dhe denigrojë këtë sukses të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, me anë të politikës së shpifjes ndaj drejtueseve të saj, Serbia ka tentuar t’i maskojë krimet e veta. Të zhvishet nga përgjegjësia për krimet në luftën e fundit, e të mos flasim për të bëmat e tyre për gati një shekull, që projekti i gjenocidial nacionalist i këtij shteti prodhoi mbi shqiptarët. Ta shpërhap mjegullën, enigmën, amnezinë, ta ndrydhë barrën e krimit në mënyrë irracionale, pra pa pranuar dhe kërkuar falje asnjëherë për të. Të shndërrohet në strehë për kriminelë duke i glorifikuar ata si heronj.

Sot ky shtet ende e mban peshën e fajit për krimet e llahtarshme që i kreu në fund të shekullit të kaluar, jo vetëm në Kosovë, por në tërë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Ai i është përgjegjës për fillimin e luftërave të përgjakshme, dhunimet, dëbimet, masakrimet, kampet e përqendrimit ndaj popujve tjerë të asaj federate, pikërisht në kohën kur të gjitha njësitë e atij shteti, me përjashtim të Serbisë, ishin përcaktuar për procese demokratike dhe për paqe. Pra, shteti serb është përgjegjës për krime kundër paqes dhe njerëzimit.

Imune ndaj kësaj ndjenje nuk është as shoqëria serbe. Sepse e dalldisur nga kjo frymë intoksikatore, e përndezur nga urrejtja shkretane ndaj tjerëve, ajo i dha mbështetje politike të pa rezervë regjimit të Millosheviqit dhe projektit të tij vrastar, për të prodhuar varre masive kundër çdo populli tjetër, gjoja për të mbrojtur një varr serb, kudo që ndodhet ai.

Pjesë e kësaj politike ishte edhe ashtuquajtura opozitë serbe. Ajo u ngrit kundër “kasapit të Ballkanit” në fund, jo për të bëmat e tij, por pse ai nuk arriti ta realizojë projektin e “parajsës së premtuar”.

Dhe nuk është e rastësishme që sot në pushtet janë ata që dikur ishin pinjollët e regjimit të Milosheviqit. Pjesë e kësaj kaste mbetet Presidentin aktual serb, Aeksandër Vuçiç, apo ministri i Jashtëm Ivica Daçiçi.

Madje, sot Alexandër Vuçiçi, pa brerje të ndërgjegjes, krekoset salloneve të diplomacisë ndërkombëtare se si është transformuar. Ai spitullohet para kancelares gjermane Angela Merkel, se si tani e tutje është i preokupuar me “Etikën Protestante dhe Frymën e Kapitalizmit” të Max Weberit. Mirëpo, kancelaria gjermane Angela Merkel, vetë ose të paktën nëpërmjet këshilltarëve të saj, e ka shansin t’i tregojë, kësaj “kavje morale” se nëse vërtet dëshiron të transformohet atëherë krahas Max Weberit, ai ka obligim ta lexojë edhe Karl Jaspersin dhe librin e tij të famshëm “The Question of German Guilt”. Sepse duke e lexuar këtë traktat filozofik dhe etik, ai ka shansin të mësojë nga përvoja e mirëfilltë gjermane e denazifikimit e të distancohet nga apoteoza e krimit. E jo të aktrojë. Ta kuptojë se nëse njëmend është i përcaktuar për paqe, kjo nuk mund të arrihet pa përcaktimin e fajtorit kryesor për tragjeditë e shkaktuara. Ta pranojë se ende ai dhe shteti që e drejton është i zhytur në moçalin e “fajit kriminal, politik, moral dhe metafizik”. Kurse rruga e çlirimit nga pesha e këtyre mëkateve kalon nëpërmjet një komunikimi të sinqertë e të vërtetë dhe jo nëpërmjet operimit me slogane dhe propagandë. E pjesë e këtij rrugëtimi është edhe kërkimfalja ndaj kosovarëve dhe pranimi i pavarësisë së tyre.

Për fund është me rëndësi që BE-ja të mos ushtrojë presion joparimor mbi palën kosovare, ta detyrojë të futet në procese negociatore të improvizuara, të cilat nuk e kanë për epilog detyrimin e Serbisë që ta pranojë shtetin e saj, siç po shihet se edhe janë negociatat e posa filluara në Bruksel. Po ashtu, është me rëndësi që edhe pala kosovare të tregohet vigjilente, unike dhe koherente, që t’u rezistojë kërkesave të tilla të Brukselit, për këtë proces me premtime të vagullta e pa një fund të qartë. Sepse me opsione te tilla nuk përfitohet asgjë, pos që amnistohet Serbia. Kjo qasje duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë nëse mirëfilli tentohet të normalizohen raportet ndërmjet dy vendeve e të instalohet paqja. Kosova nuk ka nevojë për një shantazh të dyfishtë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë