Djemtë e kryeminstrit Isa Mustafa, e kanë rritur pasurinë e tyre ndërkohë që babai po drejton vendin. Atyre por edhe deputetëve të caktuar Qeveria e Isa Mustafës, u ka dhënë licenca shtetërore përmes të cilave ata tash po gjenerojnë fitime të majme. Është publikuar dokumentari i Zona Express, përmes të cilit dëshmohet se si u ndryshuan rregullat e lojës vetëm e vetëm të përfitojë familja e kryeminstrit dhe disa deputetë të caktuar.
Isa Mustafa ka dhënë licenca terminalesh edhe aty ku djemtë e tij janë pronarë, shkruan gazetametro.net.
Por jo vetëm kaq. Ish-nënkryetarja e PDK-së, Margarita Kadriu, që dikur njihej si kritikuese e ashpër e Isa Mustafës, duket se ka përfituar jo-pak nga ai.
Deputetja Kadriu ka arritur të marrë licencë për hapjen e një Terminali Doganor për kompaninë e babait të saj “City Park”, nga qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet prej dy vitesh nga Isa Mustafa.
Siç ishte raportuar në muajin prill të këtij viti, licencën për hapjen e terminalit, Kadriut ia kishte nënshkruar Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
E këtë terminal ish-deputetja e PDK-së dyshohet se e kishte fituar, pas votës pro zgjedhjes së Hashim Thaçit President të Kosovës, në Kuvend.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së Naser Osmani, i cili është kryetar i Komisionit për Financa në Kuvendin e Kosovës, mohon çdo mundësi që këto licenca publike të jenë përdorur për pazare politike.
“Terminalet nuk janë përdoru në atë kuptim. Nuk konsideroj që ka mundur të bëhet ndonjë veprim nëpër terminale që të votohet presidenti apo kushdo qoftë”, thotë Osmani në një intervistë.
Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës, nënshkroi në dhjetor të vitit 2015 udhëzimin e ri administrativ për licencimin e terminaleve. Kriteret në këtë udhëzim janë më të lehta, të cilat u plotësuan nga kompania “City Park”. Kriteret e përcaktuara në udhëzimin e vjetër, të vitit 2013, ishin të paarritshme për këtë kompani. /gazetametro.net