Loading…

Politikën shqiptare e ka mbuluar një mjegull e tmerrshme dhe s’lë asgjë të shihet qartë

  • Nga

  • NDUE UKAJ 

  • 10/03/2021 | 18:08

Politikën shqiptare e ka mbuluar një mjegull e tmerrshme dhe s’lë asgjë të shihet qartë

Politikën shqiptare e ka mbuluar një mjegull e tmerrshme dhe s’ lë asgjë të shihet qartë. E kjo është arsyeja pse aleatët tanë, na shikojnë të habitur, sepse sjelljet tona janë krejtësisht foshnjore, dhe si pasojë e këtyre sjelljeve, kemi mbetë të varfër e të izoluar dhe po rrezikojnë krejt atë që kemi arritë vjetëve të fundit.


Shkruan: Ndue Ukaj 

Shqiptarët vazhdojnë të manifestojnë ndjesi gati sensuale tek flasin për politikë e politikanë dhe si nxënës të këqij të historisë, ata vazhdojnë të mos i dëgjojnë këshillat e të mençurve që thonë mos bini në dashuri me politikanët.

Ata historikisht kurrë s’ i ka lumturuar politika, por kjo s’i pengon që të jenë tifozë të flaktë politikë dhe në tema politike, të reagojnë bash si tifozë tribunash të përndezura.

Secili njeri normal që sheh turfullimet e përditshme, pezmin madh dhe jo racional që mbretëron mes shqiptarëve, s’ ka sesi të mos brengoset për të ardhmen e politikës – në sensin ontologjik – dhe për cilësi politike, për çka më s’flet kush dhe kjo vërtet është fatkeqësi kombëtare.

Politika shqiptare është e mjerë dhe kjo e vërtetë s’mund të mbulohet, siç s’ mund të mbulohet dielli me shoshë.

E kemi reduktuar politikën në një rreth fjalësh e fjalish të shkreta dhe krejt tallava.

E kemi përlyer politikën dhe më kush s’di të dallojë çfarë është normale e çfarë jo, çfarë është etike e çfarë jo, çfarë është diturore e çfarë mediokre.
Kudo mbizotërojnë gjysmë të vërtetat e thashethemet, kurse mendimet qëllimmira rrallohen përditë.

Mjerisht, shqiptarët politikën e kanë kthyer në njëlloj sporti, ku argëtohen ata që luajnë dhe dalldisen ata që u shkojnë pas, tifozët, që të verbuar nga mllefi e të bombarduar nga propaganda, bëjnë tifozëri si në tribuna sportive.

Një popull që kequshqehet me politikë, ai vjell trishtim e mërzi. Dhe kur të bënë zarar politika, të vjellat janë të mëdha, kundërmojnë gjatë dhe lënë pasoja të paparashikueshme.

Politikën shqiptare e ka mbuluar një mjegull e tmerrshme dhe s’ lë asgjë të shihet qartë.

E kjo është arsyeja pse aleatët tanë, na shikojnë të habitur, sepse sjelljet tona janë krejtësisht foshnjore, dhe si pasojë e këtyre sjelljeve, kemi mbetë të varfër e të izoluar dhe po rrezikojnë krejt atë që kemi arritë vjetëve të fundit.

Prandaj, për punë higjiene mentale e shpirtërore, duhet ta heqim këtë pseudo politikë nga shujta e përditshme, që së paku breznitë e reja të mos i infektojmë.
Shoqëritë e topitura kulturalisht, intelektualisht dhe moralisht flasin kaq shumë për politikë. E në fakt, shqiptarët nuk shquhen aspak në këtë zanat, për të mos thënë, në politikë janë shumë të mjerë, në mos më të mjerët në kontinent, prandaj, Paulin Margjokaj te libri “Kush janë anmiqt e Shqipnisë”, para disa dekadave shkruante:

“Shqiptarët flasin për gjithçka, por sidomos për politikë. Natyrisht, sa me pak të dijë njeriu, aq me shumë flet. E për politikë, nuk ashtë kush qi flet aq shumë sa Shqiptarët. E me pvete, nder 100 vete ndoshta memzi njani din se ka vjen fjala politikë e shka shenjon e shka don me thanë.”

Njerëz, mos prodhoni dhe mos konsumoni kaq shumë pseudo politikë, sepse dëmet estetike dhe shpirtërore janë serioze dhe shumëfish ma të rrezikshme se korrupsioni, kapja e broçkullat tjera, me të cilat tema e kalon kohën tifozëria politike.

(Ndue Ukaj është shkrimtar i njohur dhe komentator politik.)

 

Më të fundit
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë