Loading…
Populizmi që po bën të pasigurt të ardhmen e Kosovës
  • Nga

  • MERO BAZE

  • 30/05/2019 | 14:31

Populizmi që po bën të pasigurt të ardhmen e Kosovës

Politika në Kosovë përditë e më shumë po i ikën qeverisjes së shqiptarëve dhe po përpiqet të mbijetojë duke ju rikthyer tezave populiste, të cilat mund t’iu shkurtojnë jetën jo vetëm atyre, por dhe vetë Kosovës.


Presidenti Hashim Thaçi është i frustruar nga dështimi i përpjekjeve amerikane për një marrëveshje Serbi- Kosovë, që mund t’i hapte rrugën integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian. Duke marrë më shumë se ç’duhej rolin e protagonistit në atë histori dhe mbështetjen amerikane tërësisht për vete, ai prodhoi një xhelozi tek përkrahësit e tezave të “Bashkimit Kombëtar”, gjë që prodhoi një debat absurd rreth mundësisë së ndarjes së Kosovës. Biles, e gjitha kulmoi me një aleancë të re politike Shqipëri- Kosovë, që bashkoi Sali Berishën, Albin Kurtin, Haradinajn dhe Metën – kundër Hashim Thaçit.

Duke qenë një projekt i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë dhe Mongherini në Bruksel, ai duket se prodhoi të njëjtat probleme dhe tek politika tradicionale europiane, por dhe tek diplomatët e karrierës në Departamentin e Shtetit, çka stopoi gjithçka.

Në kundërpërgjigje të Hashim Thaçit, kryeministri Ramush Haradinaj ndërmori një fushatë po aq populiste, duke vendosur një taksë 100 për qind për mallrat serbe në Kosovë, në përpjekje për t’i hequr çdo shans marrëveshjes me Serbinë dhe për të qenë ai interlokutori i krizës.

Dhe në Samitin e Berlinit ai u nis t’i thoshte “Jo” planit amerikan, por në fakt i tha “Jo” propozimit të Merkelit dhe Makronit për menaxhimin e kësaj situate nga vet ata, duke e futur Kosovën në dy rrathë të kuq, në refuzimin e planit amerikan dhe në refuzimin e protagonizmit të Gjermanisë dhe Francës për marrëveshjen me Serbinë.

I gjithë ky protagonizëm ndërkombëtar i kundërshtarëve politikë në Kosovë e ka kthyer politikën e brendshme të Kosovës në gjendje lufte.

Kryeministri dhe Presidenti kanë secili çdo ditë nga një propozim që nuk ka lidhje me qytetarët e Kosovës, por me kufijtë e saj, me bashkimin me Shqipërinë, me Preshevën, me humbjen apo fitoren e Veriut, me mësymjen me forca speciale të Hardinajt në Veri të Kosovës dhe Drenicë, simbolikisht për të thënë se po sulmon Vuçiçin dhe Thaçin, dhe marrëzi të tjera, siç është kërcënimi për taksë dhe për Shqipërinë derisa të rrëzohet Edi Rama.

Më tej akoma, Haradinaj fillon i jep leksione patriotike Shqipërisë, kërkon heqjen e taksës së “Rrugës së Kombit”, ndërkohë që një vit më parë ka refuzuar heqjen e tarifave doganore, propozuar nga Majko, nën ndikimin e oligarkëve në Kosovë.

Ky shpërthim i një populizmi primitiv në Kosovë nga ana tjetër ka ndërlikuar dhe mekanizmat politikë të zhbërjes së tij, pasi të gjitha palët kanë frikë të testojnë veten se çfarë kanë prodhuar me gjithë këto marrëzi.

Albin Kurti ndërkohë ka vrapuar të çelë partinë e tij dhe në Shqipëri, duke menduar se në Shqipëri si Enver, dhe në Kosovë si Hoxhë, mund të shtojë votat për nacional-komunizmin e ëndërruar të Enver Hoxhës, Ilir Meta ka shtuar investimet në mediat e Kosovës, duke e bërë dhe më të bezdisshme Kosovën për opinionin publik në Shqipëri, duke na përcjellë porositë e tij përmes gazetarëve të paguar atje prej tij.

Duke e parë krizën politike në Shqipëri si një ushqim hijenash, ata janë lëshuar mbi të me qēllim që të përfitojnë çfarë mundin.

Kështu, Haradinaj me Metën fotografohen në vilat qeveritare në Durrës para protestës së radhës së opozitës, me një pamje që është më shumë erotike sesa politike, ndërsa të dy bashkë mendojnë se po u ngjitën në mal me kanatiere dhe Çim Pekën, tregojnë forcë dhe burrëri para shqiptarëve.

Në këtë situatë, Kosova sot është shteti më i pasigurt në botë prej liderëve të saj.

Presidenti është i alarmuar se ka shpenzuar pa dobi një mbështetje të skajshme amerikane për marrëveshjen Serbi- Kosovë, pa dakorduar qëndrimet me Europën. Kryeministri është në qiell të shtatë që ka mundur të hungërijë para Merkelit e Makronit, fjalë që më në fund kur u përkthyen, do të thoshin “S’po du”.
Isa Mustafa fotografohet nëpër kafene herë me Albinin e herë me Hashimin, a thua se LDK ka ngelë në dorë të tyre, ndërsa shqiptarëve në Kosovë u shesin përralla me aksione policore, me foto me shqiponja dhe premtime se do rregullojnë veç Kosovës, edhe Shqipërinë e Preshevën.

Është mirë ta marrin më shtruar detyrën e tyre dhe të qeverisin Kosovën. Të merren me problemet që kanë qytetarët në Kosovë me korrupsionin, me shtetin ligjor, me krimin e organizuar dhe – nëse kanë mundësi – të mos e turpërojnë Kosovën në Perëndim, jo vetëm me imazhin e njerëzve të pagdhendur, që hungërijnë dhe nuk shqiptojnë fjalë, por të mos fyejnë as populistët europianë, kur bëjnë sikur i imitojnë dhe këta, duke bërë si nacionalistë dhe antiperëndimorë.

Serbia ka qenë dhunuesja historike e Kosovës dhe ajo e ka humbur Kosovën pikërisht për këtë shkak. Për të njëjtën arsye mund ta humbasin dhe këta që mendojnë se po bëjnë politikë të madhe, për të shpëtuar kokën e tyre.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë