Punëtorët e Postës së Kosovës kanë nisur një protestë para Kuvendit të Kosovës.
Ata kërkojnë anulimin e vendimit ose dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (KAKK), Valon Prestreshi, për të cilin thonë se, me ndihmën e 2 nga gjithsejtë 5 anëtarë të KAKK-së, ka nxjerrë një vendim të padrejtë dhe të paligjshëm, që dëmton financiarisht mbi 1000 punëtorë dhe mbi 1000 familje, për interesa të disa kompanive private.
Në përkrahje të protestës ka dalë edhe deputeti i PDK-së, Shaip Muja, i cili ka thënë se duhet të hetohet baza ligjore e kompanive mikro-financiare, të cilat sipas tij, po e sfidojnë shërbimin publik.
Muja më tej tha se do të përpiqen që sot ta fusin në Kuvend si pikë jashtë rendit të ditës dhe të diskutojnë për këto probleme.
Po ashtu, ai tha se do të kërkojë të shqyrtohet puna e Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, dhe nëse gjenden shkelje, atëherë dikush të marrë përgjegjësi për vendime të tilla.
Sindikatat sqarojnë se Prestreshi ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës, që të mbyllin 43 zyra postare të Postës së Kosovës, të cilat ofrojnë shërbimin e pagesave në këto institucione.
Gjithashtu, Sindikata e Punëtorëve të Postës ka bërë të ditur se sot do të deponohet në Kuvendin e Kosovës, peticioni i nënshkruar nga të gjithë punëtorët e Postës, me të cilin kërkojnë shkarkimin e anëtarëve aktuale të KAKK-së. /gazetametro.net