Xhudistja kosovare Arba Hasanaj ka përfunduar në vendin e pestë në Lojërat Olimpike për të Rinj, që po zhvillohen në Dakar të Senegalit, transmeton Gazeta Metro.
Hasanaj garoi në kategorinë deri në 78 kilogramë, ku arriti deri në luftën për medaljen e bronztë, por u mposht nga përfaqësuesja e Austrisë, Selina Woegerer.
Rrugëtimin në këtë garë, kosovarja e nisi me fitore ndaj Lenishka Figueroas nga Porto Riko, ndërsa në përballjen e radhës pësoi humbje nga braziliania Clarisse Vallim, e cila më pas u shpall kampione.
Hasanaj arriti të triumfojë ndaj dy kundërshtareve nga Australia dhe Nikaragua, duke siguruar mundësinë për të luftuar për medalje. Megjithatë, ajo nuk arriti ta përfundojë garën në podium.
Në këtë edicion të Lojërave Olimpike për të Rinj, ku marrin pjesë 2.654 sportistë nga 205 shtete, garojnë atletë të moshës 15 deri në 18 vjeç. Kompeticioni në Dakar përfundon më 13 nëntor.
Përveç Hasanajt në xhudo, Kosovën në këtë ngjarje po e përfaqësojnë edhe Shega Sejdiu në taekwondo dhe Erisë Avdullahu në atletikë. Ky është edicioni i dytë i Lojërave Olimpike për të Rinj ku merr pjesë Kosova. Në vitin 2018, në Buenos Aires, Erza Muminoviq kishte fituar medaljen e bronztë në xhudo./gazetametro.net