Loading…

Prapë do të paguajnë ata!

  • Nga

  • MUHAMET BYTYÇI

  • 30/07/2020 | 17:29

Prapë do të paguajnë ata!

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot votoi për Ligjin për rishikimin e buxhetit të Republikës për vitin 2020. Në kuadër të këtij Ligji për buxhetin u miratua edhe një amandament i paraqitur nga deputeti i VV-së Hekuran Murati, e i cili kishte të bënte me mbulesën e polisës së sigurimeve për bashkatdhetarët tanë që udhëtojnë për në Kosovë më makina private.


Shkruan: Muhamet Bytyçi

Ky lajm u paraqitë me pompozitet si nga VV po ashtu edhe nga Kryeministri Hoti si një lajm i mirë për bashkatdhetarët. Por një vendim i tillë i ka disa probleme dhe padrejtësi që i shkaktohen qytetarëve të Republikës së Kosovës. Duhet nënvizuar këtu që fakti se Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër dhe ky fakt shkakton një sërë veshtirësishë për të gjithë qytetarët tanë, përfshirë këtu edhe bashkatdhetarët. Ata, kur vijnë në Kosovë, nuk kanë mbulim të sigurimit për makina nga kompanitë ku i kanë të siguruara makinat e tyre. Rrjedhimisht u duhet të paguajnë sigurimin për kohën e qëndrimit në Kosovë. Kjo shumë agregate është kogja e lartë dhe brenda një viti arrin në disa miliona euro. Këto janë kryesisht përfitime për kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë. Por një kosto kogja të lartë e paguajnë edhe qytetarët e Kosovës për shkak të mos anëtarësimit në Kartonin e gjelbër. Të gjithë që udhëtojnë për në vendet e rajonit (me përjashtim të Shqipërisë) por edhe në vendet tjera (Greqi, Turqi, Bullgari e gjetiu) iu duhet të paguajnë sigurim shtesë për makinat e tyre. Dhe këtu fillojnë problemet me vendimin e sotëm të Kuvendit.

Së pari ky vendim është diskriminues. Fakti që përpdoren paratë e buxhetit të Kosovës për t’u krijuar lehtësira financiare një kategorie të caktuar të shtetasve të Kosovës të cilët njëkohësisht i kan pakrahasimisht të ardhurat më të larta se sa pjesa tjetër e qytetarëve është e papranueshmeedhe e pa nevojshme. Nëse Institucionet publike të Kosovës paskan vendosur që t’ua mbulojnë koston financiare të mos pranimit në Kartonin e Gjelbër, qytetarëve të Republikës së Kosovës atëherë pse mos t’ua mbulojnë të gjithëve? Për më tepër, përse t’ua mbulojnë vetëm atyre qe kane me shumë të ardhura?

E dyta, në kohën kur po përballemi me një rënie të paprecedan në të hyrat shtetërore, Kuvendi i Kosovës ia mvesh buxhetit të shtetit një barrë të re dhe plotësisht të panevojshme financiare e cila është projektuar të jetë 3 milionë euro. Ndërkohë sistemi ynë shëndetësorë është mbingarkuar e kemi mungesë serioze madje edhe të testeve për Covid-19 e lëre më diçka më shumë. Shtoja kësaj edhe pamundësinë e deri tashme të shtetit që t’ua mbulojë një pagë minimale punëtorëve që e nuk marrin rroga për shkak të efekteve të pandemisë.

E treta, ky vendim nuk zgjidh asnjë çështje siç po proklamohet. Pra paratë do të shkojnë në xhepat e kompanive të sigurimeve në nivelin e njëjtë si më parë. Vetëm kostoja është bartur nga bashkatdhetarët te qytetarët në Kosovë kolektivisht. Dhe të njëjtin problem do ta kemi edhe në të ardhmen, pra vitin e ardhshëm e vitin pas tij.

E katërta, masat e tilla që lehtësojnë përdorimin e makinave janë komplet në kundërshtim me mirëqenien e qytetarëve, duke e ngarkuar e ndotur tejmase ajrin në Kosovë dhe rritjen e frustrimit e nervozës si pasojë e stërngarkimit të rrugëve të qyteteve të Kosovës.

Natyrisht që bashkëatdhetarët tanë duhen trajtuar si pjesë e barabartë e shoqërise sonë dhe të ndihen të mirëseardhur në Kosovë. Mirëpo jo të privilegjuar. Kushdo prej tyre që e paraqet të jetuarit në mërgatë si sakrificë mund të kthehet në Kosovë dhe të jetojmë së bashku. Është fakt që mërgata paraqet një rëndësi të madhe ekonomike për Kosovën. Mirëpo nëse autoritetet publike në Kosovë krijojnë privilegje për ata që paguajnë më shumë dhe kontribuojnë më shumë në buxhetin e shtetit, atëherë do të lëvizim drejt një sistemi absolutisht jo demokratik të bazuar në thellim të pabarazisë.

Arsyetimi i dorëzuar nga deputeti Murati është sipërfaqësor e qesharak. Në njërin prej paragrafëve të arsyetimit ai thotë se “Për bashkatdhetarët, kostoja financiare nuk është aq problem sa është ndjenja e indinjatës që krijohet kur polici kufitar e detyron bashkatdhetarin të dal nga vetura dhe e drejton tek kabina ku shiten polisat e sigurimit.” Kjo mënyrë e të menduarit është shumë problematike. Së pari dokumentet zyrtare të Kuvendit të Kosovës nuk do të duhej të merreshin me ndjenjat e njerëzve. Kjo ndjesi është paragjykim i deputetit. Pastaj, si mundet një deputet ta mirëkuptoj indinjatën e dikujt nga i cili polici kërkon t’i zbatojë ligjet. Pra ky arsyetim praktikisht thotë që duhet t’i heqim rregullat e ligjet që krijojnë indinjatë të qytetarëve. Paramendoni çfarë absurdi. Dhe kjo vjen nga një deputet. Ka edhe metoda qe mund te krysh nje sherbim pa dale nga makina, po Kuvendaret tane nuk merremi me metodat moderrne te pagesave,  por me ndjenja.

Më poshtë në arsyetimin e tij deputeti e përmend rëndesën ekonomike në Kosovë që shkaktohet nga pandemia. Dhe në këtë pikë e njeh rëndësinë që paratë nga mërgata kanë për ekonominë e Kosovës. Prandaj kërkon lehtësira financiare për bashkatdhetarët që të vijnë më shumë në Kosovë. Por e njeh po ashtu një problem madhor: faktin se vendet ku jetojnë mërgata e Kosovës kanë caktuar masa shtesë ndaj atyre që e vizitojnë Kosovën e të cilët obligohen në vetë karantinim prej 14 ditës në vendbanimet e tyre. Ky është shkak kryesor pse këtë vit po shohim më pak nga mërgata jonë ta vizitojnë Kosovën. Dhe në këtë drejtim masa e propozuar nuk ka kurrfarë efekti. Pra nëse e krahasojmë me vitin e kaluar numri i vizitorëve nga mërgata ka qenë shumë më i madh se sa ai këtë vit përkundër që vitin e kaluar është dashur të paguajnë polisë sigurimi e këtë vit këtë po ua paguajmë ne.  Në këtë drejtim kryetari i Komisionit për Buxhet përmes këtij arsyetimi del të jetë shumë sipërfaqësor e kontradiktorë në një logjikë të thjeshtë.

Dhe për fund, duhet ta kuptojmë se në fakt ky vendim nuk e liron mërgatën nga barra financiare, por vetëm e sposton atë në kohë. Nëse polisa paguhet nga buxheti, e buxheti mbushet nga tatimet (pjesën më të madhe tatimi në konsum, TVSh), e nëse TVSH paguhet në një pjesë të madhe nga remitencat e mërgatës, atëherë i bie që polisat i pagujnë bashkatdhetarët në mënyrë indirekte. Pra vetëm spostim. Si dhe mbetet e paqartë se kush e gëzon këtë të drejtë, vetëm bashkatdhetarët që kanë shtetësi të Kosovës apo të gjithë? Sepse edhe në këtë pikë mund të ketë elemente të diskriminimit, duke e pasur parasysh që një pjesë e mërgatës sonë, kryesisht në Gjermani, është dashur të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës për ta fituar atë gjermane.

Kjo logjikë populiste vetëm e vetëm për tu dukur sikur po i ndihmojmë mergatën pa llogaritur pjesën  tjetër të shoqërisë është tallje për ata e dëm për Kosovën.

(Autori është Master ne Politika Publike dhe Menaxhim. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro.)

 

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë