Ismail Tasholli nga platforma ‘Liria ka Emër’ ishte i drejtpërdrejtë për implikimet dhe pasojat diplomatike dhe politike nëse një vendim negativ do të dilte nga Gjykatës Speciale që tashmë janë të shumtë që e kanë kritikuar për proces të kompromentuar tashmë, si brenda dhe jashtë vendit, transmeton Gazeta Metro.
Tasholli të enjten po diskutonte rrjedhën e konferencës “Urat e Kujtesës” në Prishtinë dje dhe sot ai komentoi mes tjerash edhe njërën nga temat që u diskutua edhe në forum me figura eminente të drejtësisë ndërkombëtare dhe diplomatë, gjyqin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, proces që u vlerësua me kritika edhe nga të pranishmit.
Tasholli adresoi edhe pasojat të enjten e mbylljes së këtij procesi që do të ndikonte edhe në civilizimin perëndimor po të injorohet dhe verdikti të përputhet me synimet politike serbe të kahmotshme. Ai e theksoi se procesi është thirrur në premisa të gabuara logjike me cilësimin “ndërrmarrje e përbashkët kriminale”. Ai theksoi se dëmi s’i mbetet vetëm Kosovës sepse brenda juridikës krijohen precedente me ndikim më të gjerë.
“E para deligjitimon luftën tonë për liri. Nëse ju kujtohet Milovan Drecun kur thoshte se ‘vetëm një muaj le të dënohen,ne vetëm po na duhet që guerilja u dënua, në emision e thoshte s’di nëse e keni parë para disa muajsh. S’është me rëndësi sa vetëm ne të kemi një letër që thotë se lufta e tyre ishte kriminale siç kemi thënë me Milosheviqin që nga fillimi. Do të thotë dëshira e tyre është deligjitimohet lufta jonë me një certifikatë. Në këtë rast po e them si metaforë. Duan të marrin vulën e deligjitimimit të luftës së UÇK’së në dokument dhe ta fusin brenda cilësimit si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Saktësisht siç e thoshte Millosheviq atë po e duan. E nëse ndodhë është pak e rëndë të na dalin fjalët e Millosheviq e jo ato të NATO’s dhe civilizimit perëndimor sepse pastaj shpërfytyrohet i gjithë rrugëtimi. Deligjitimohet edhe intervenimi i NATO’s.”
Në konferencën “Urat e Kujtesës” kishte kundërshti me rrjedhën e procesit dhe janë vlerësuar lëshime nga Dhomat e Specializuara që nga nisma e procesit që kanë njollosur vetë drejtësinë ndërkombëtare./gazetametro.net